Shqipëria ka hyrë sot në një fazë të re të kontrollit të investimeve të huaja direkte, pas hyrjes në fuqi të rregullores që përcakton procedurat për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve që lidhen ose ndikojnë në infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike, mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me të dhëna kritike, informacionet e ndjeshme dhe lirinë e medias. Akti ngre për herë të parë një mekanizëm të dedikuar shtetëror, i cili i jep qeverisë të drejtën të filtrojë, kushtëzojë apo edhe të ndalojë investime të caktuara, kur vlerësohet se ato mund të cenojnë sigurinë kombëtare ose rendin publik.
Rregullorja krijon kështu bazën për një regjim të ri shqyrtimi të investimeve të huaja direkte, në linjë me qasjen që Bashkimi Evropian ka ndërtuar vitet e fundit për sektorët strategjikë. Në thelb, logjika e saj është që investimet e huaja të mos trajtohen më vetëm si çështje ekonomike, por edhe si çështje sigurie, veçanërisht kur përfshijnë kontroll mbi asete, teknologji, rrjete, të dhëna apo platforma që konsiderohen jetike për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.
Një nga elementët më të rëndësishëm të rregullores është përcaktimi i pragjeve që aktivizojnë shqyrtimin. Për sektorët e ndjeshëm, investimi hyn në filtër kur pjesëmarrja e investitorit të huaj arrin të paktën 25% ose rritet në nivele të caktuara si 30%, 40%, 50% dhe 75%. Për sektorët veçanërisht të ndjeshëm, pragu është më i ulët, duke nisur nga 10% e pjesëmarrjes. Përtej përqindjeve formale, shqyrtimi aktivizohet edhe kur investitori fiton kontroll efektiv mbi vendimmarrjen, asetet thelbësore ose krijon rrezik të arsyetuar për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Akti shkon më tej se sa një kontroll formal i pronësisë. Ai kërkon të identifikojë jo vetëm kush investon, por edhe kush qëndron realisht pas investimit. Në këtë kuadër, vlerësimi do të marrë në konsideratë nëse investitori kontrollohet drejtpërdrejt apo tërthorazi nga qeveri të vendeve të treta, nëse ka histori aktivitetesh që kanë cenuar sigurinë ose rendin publik në vende të tjera, si dhe nëse ekziston rrezik për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo kriminale. Një peshë e veçantë u jepet edhe strukturave të paqarta të pronësisë, përdorimit të entiteteve offshore, financimeve të errëta apo mekanizmave që e bëjnë të vështirë identifikimin e pronarit përfitues përfundimtar.
Në qendër të mekanizmit të ri vendoset Komiteti Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte, i kryesuar nga ministri përgjegjës për ekonominë. Në të përfshihen ministritë kyçe, si financat, infrastruktura dhe energjia, mbrojtja, brendshmja, jashtmja dhe drejtësia, si edhe institucione të specializuara si Agjencia e Inteligjencës Financiare, AKSHI, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe AMA. Ky komitet do të jetë organi vendimmarrës që do të japë dritën jeshile, do të vendosë kushte, do të pezullojë ose do të refuzojë investimet që i nënshtrohen shqyrtimit.
Rregullorja vendos edhe një parim të qartë “filtrimi”, që do të thotë se investimi nuk mund të përfundohet pa marrë më parë autorizimin. Investitori i huaj dhe/ose ndërmarrja objekt kanë detyrimin të aplikojnë paraprakisht pranë sekretariatit, i cili kontrollon dokumentacionin, identifikon sektorin dhe pragjet përkatëse, mbledh opinionet teknike dhe përgatit dosjen për komitetin. Nëse një transaksion që kërkon autorizim nuk njoftohet, autoritetet mund të nisin shqyrtimin ex officio, pra me iniciativën e tyre, dhe deri edhe të urdhërojnë zhbërjen e pasojave të investimit nëse rezulton rrezik real.
Nga pikëpamja praktike, bizneset do të përballen me një nivel të ri kontrolli dhe transparence. Kërkesa për autorizim do të duhet të përmbajë jo vetëm të dhënat bazë të investitorit dhe të shoqërisë objekt, por edhe strukturën e pronësisë, burimin e financimit, përshkrimin e detajuar të transaksionit, tregjet ku veprojnë palët, të dhëna mbi organet drejtuese, identifikimin e pronarit përfitues, gjendjen gjyqësore dhe çdo licencë apo autorizim sektorial të nevojshëm. Në raste të caktuara mund të kërkohet edhe informacion shtesë, sidomos kur investimi prek mbrojtjen, sigurinë kibernetike, të dhënat kritike apo pluralizmin mediatik.
Një pikë me shumë interes është se, ndonëse rregullorja hyn në fuqi menjëherë, zbatimi i saj i plotë do të jetë gradual. Sipas dispozitave kalimtare, që nga sot ajo zbatohet për investimet që lidhen ose prekin sektorin e medias, të cilin e trajton si sektor të ndjeshëm, dhe industrinë e mbrojtjes, që konsiderohet sektor veçanërisht i ndjeshëm. Ndërkohë, rregullat e detajuara për përbërjen, organizimin, funksionimin e mekanizmit dhe formularin e autorizimit do të hyjnë në fuqi pas një periudhe tranzitore 90-ditore, brenda së cilës duhet të miratohen edhe udhëzimet zbatuese.
Kjo do të thotë se në fazën e parë filtri i ri do të fokusohet te dy fusha me ndjeshmërinë më të lartë politike dhe të sigurisë: media, për shkak të lirisë së medias, pluralizmit dhe pavarësisë editoriale; dhe mbrojtja, për shkak të lidhjes me teknologji, mallra dhe shërbime me përdorim ushtarak ose të dyfishtë. Në rastin e medias, rregullorja është veçanërisht e prerë për rastet kur kontrolli i huaj mund të cenojë pluralizmin, të maskohet përmes pronësive jotransparente ose të lidhet me qeveri dhe struktura politike të vendeve të treta.
Në plan më të gjerë, akti sinjalizon se Shqipëria po afrohet me standardet evropiane të kontrollit të investimeve strategjike. Megjithatë, përtej objektivit legjitim të mbrojtjes së sigurisë kombëtare, efekti real në klimën e biznesit do të varet nga mënyra se si do të zbatohet. Nëse procedurat do të jenë të shpejta, të parashikueshme dhe të mbështetura në kritere të qarta, mekanizmi mund të shërbejë si garanci shtesë për sektorët më kritikë pa trembur investitorët seriozë. Por nëse kthehet në filtër të ngadaltë, të paqartë ose me interpretim të gjerë, rrezikon të shtojë pasiguri rregullatore pikërisht në momentin kur Shqipëria kërkon më shumë kapital të huaj. / ekofin.al


