Shqipëria po përgatit një model të ri për operimin e transportit hekurudhor të udhëtarëve, me fokus te linja Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit. Kontrata e Shërbimit Publik (PSC) synon të vendosë një kuadër të qartë për mënyrën e ofrimit të shërbimit, standardet që duhet të përmbushë operatori dhe mekanizmin e kompensimit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se procesi është pjesë e një qasjeje më të gjerë për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor, duke e kthyer hekurudhën në një komponent funksional të sistemit kombëtar të transportit.
Sipas ministrit, investimet në infrastrukturë nuk janë qëllimi final. Objektivi është që qytetarët ta përjetojnë ndryshimin përmes një shërbimi hekurudhor modern, të rregullt, të besueshëm dhe të orientuar drejt pasagjerit.
Për korridorin Tiranë-Aeroport-Durrës, kontrata do të përcaktojë detyrimin e shërbimit publik, standardet e shërbimit, përgjegjësitë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit.
Një nga elementet kryesore të modelit të ri është përfshirja e tregut përmes një procedure konkurruese. Shteti përcakton nevojën dhe standardin e shërbimit, ndërsa operatorët do të ofrojnë zgjidhjet për operimin e tij.
Kontrata pritet të përcaktojë edhe volumin e shërbimit dhe tren-kilometrat, oraret, mjetet lëvizëse, modelin e pronësisë ose leasing-ut, financimin, mirëmbajtjen, përdorimin e depos në Shkozet, periudhën e mobilizimit, kohëzgjatjen e kontratës, kompensimin dhe indeksimin, si dhe trajtimin e të ardhurave nga biletat. Në fokus do të jetë edhe regjimi i performancës përmes treguesve KPI.
Modeli i ri nuk synon thjesht vënien në funksion të trenave, por krijimin e një shërbimi të matshëm dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve.
Kriteret do të lidhen me respektimin e orareve, sigurinë, besueshmërinë, mirëmbajtjen dhe cilësinë e përcaktuar të shërbimit. Procedura do të synojë gjithashtu garantimin e konkurrencës, transparencës dhe fleksibilitetit për të përfituar zgjidhjet më të përshtatshme nga tregu.
Përfshirja e sektorit privat shihet edhe si një mundësi për të sjellë ekspertizë dhe përvojë ndërkombëtare në sistemin hekurudhor shqiptar. Konsultimi me tregun nuk lidhet vetëm me interesin për operimin e shërbimit, por edhe me gjetjen e zgjidhjeve për mjetet lëvizëse, financimin, mirëmbajtjen dhe mobilizimin.
Një tjetër objektiv është transferimi i njohurive dhe zhvillimi i kapaciteteve vendase, përfshirë personelin e Hekurudhës Shqiptare dhe veçanërisht kapacitetet e mirëmbajtjes.
Kontrata e shërbimit publik lidhet me një projekt infrastrukture që përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin. Punimet për rehabilitimin dhe stacionet janë drejt përfundimit, ndërsa elektrifikimi parashikohet të mbyllet brenda vitit 2027.
Por qasja e re nuk kufizohet vetëm te ky korridor.
Në veri, linja Vorë-Hani i Hotit, rreth 120 kilometra, po rehabilitohet si pjesë e lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin evropian. Projekti është bashkëfinancuar nga EBRD, EIB dhe Bashkimi Evropian, ndërsa procesi i vlerësimit të ofertave është në fazën përfundimtare.
Një tjetër projekt strategjik është Durrës-Rrogozhinë, pjesë e rrjetit kryesor TEN-T në Ballkanin Perëndimor dhe e Korridorit VIII. Rehabilitimi parashikon infrastrukturë moderne, me shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë, stacione të modernizuara dhe sisteme të reja sinjalizimi e telekomunikacioni.
Në vijim janë edhe projektet Rrogozhinë-Pogradec dhe rehabilitimi i linjës Rrogozhinë-Fier-Vlorë, së bashku me lidhjen hekurudhore me Aeroportin e Vlorës. Në fokus është edhe lidhja Durrës-Prishtinë, për të cilën po përgatitet projekti teknik në bashkëpunim me Agjencinë Franceze të Zhvillimit.
Strategjia e re për hekurudhën përfshin edhe transportin e mallrave. Lidhja Sukth-Porto Romano synon të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore me portin e ri dhe të forcojë ndërmodalitetin mes hekurudhës dhe transportit detar.
Në këtë mënyrë, objektivi është krijimi gradual i një rrjeti që lidh qytetet, aeroportet, portet, zonat turistike dhe korridoret ndërkombëtare./ekofin.al
