Hekurudha Shqiptare ka shpallur tenderin me vlerë 95 milionë lekë pa TVSH ose 965, 447 euro në kuadër të projektit për rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore Rrogozhinë – Vlorë, që përfshin studimin dhe hartimin e projektidesë përfundimtare për lidhjen e hekurudhës së aeroportit të Vlorës me atë ekzistuese.
Në dokumentin e tenderit specifikohet se kjo linjë kalon nëpër zona të rëndësishme dhe me ndikim për jetën e banorëve dhe veprimtarive të tjera.
Linja hekurudhore Rrogozhinë – Fier kalon pranë qendrave të prodhimeve bujqësore dhe përbëjnë një potencial për transportin hekurudhor për eksportimin e produkteve në drejtim të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Stacioni i Lushnjës dhe i Fierit janë të rëndësishëm se përballojnë fluksin e qytetarëve të zonave përreth, të cilët përdorin trenin për shkak të largësisë së rrugës automobilistike.
Në këto linja, ka mjaft vepra arti, kryesisht ura me gjatësi 5 – 150 metra, të cilat e kanë humbur aftësinë mbajtëse pasi kanë pësuar deformime, si për shembull ura hekurudhore – rrugore e Rrogozhinës mbi lumin Shkumbin me gjatësi 246 metra, ndërtuar në vitet 1967 – 1968.
Po kështu edhe urat që gjendet në linjën Fier -Vlorë kanë një jetëgjatësi mbi 40-vjeçare dhe nuk janë bërë kontrolle teknike për to. Në veçanti ura e Mifolit ka nevojë për marrjen e masave për mbrojtjen e shpatullave të saj nga gërryerjet e lumit Vjosa, thuhet në dokument.
Sipas të dhënave, në 4 shkurt të vitit 2016 është firmosur Marrëveshja midis Ministrisë së Transporteve dhe Shoqërisë Shqiptare “ALBRAIL” sh.p.k, për dhënien ne konçension të hekurudhës së segmentit Fier – Vlorë. Në këtë kuptim kjo shoqëri është edhe administruese e infrastrukturës hekurudhore Fier -Vlorë.
Përmes realizimit të këtij projekti, pritet të përmirësohet dukshëm komoditeti dhe lehtësia e udhëtimit, duke u dhënë qytetarëve dhe turistëve mundësinë për të përdorur një sistem transporti të kombinuar, që ndihmon në uljen e përdorimit të transportit rrugor dhe ndotjen mjedisore. Njëkohëisht do t’i shërbejë turizmit dhe do të lidhë Vlorën më mirë me rrjetin e përgjithshëm të transportit kombëtar dhe ndërkombëtar./ekofin.al