Muaji gusht rezulton edhe muaji më i ngarkuar i vitit sa i përket udhëtimeve. Kjo për shkak se ka një fluks të shtuar të pasagjerëve, të cilët përdorin mjetet e ndryshme të transportit, që nga ai rrugor, detar, hekurudhor dhe ajror. Pjesa më e madhe e qytetarëve marrin pushimet (lejet vjetore) në gusht, duke sjellë kështu edhe lëvizje më të shtuara, me zhvendosjen e tyre nga një destinacion në tjetrin.
Kjo gjë sjell ndikime, thuajse të përvitshme në rritjen e kostove të transportit dhe shoqërohet me rritje të çmimit të energjisë dhe naftës në bursat ndërkombëtare, që pastaj reflektohet edhe te çmimi final për konsumatorët. Një gjë e tillë nuk lë pa prekur edhe transportin ajror, që nga kompanitë kryesore, deri tek ato që konkurrojnë përmes çmimeve më të lira, apo linjave loë cost.
Kjo është edhe arsyeja që nëse realizon një kërkim të thjeshtë në internet për bileta, përmes linjave loë cost, edhe për fluturime nga Rinasi, çmimet për gushtin shfaqen më të larta sesa muajt e tjerë, përfshirë këtu korrikun apo shtatorin, si muajt më të afërt. Në bazë të parimit, kërkesë-ofertë, rritja e madhe e kërkesës për të realizuar lëvizje/fluturime në muajin gusht, rrit automatikisht edhe çmimet.
I njëjti trend vihet re edhe në aeroportet kryesore evropiane, ku sipas një kërkimi të bërë nga Ekofin.al, rezulton se çmimet e biletave për fluturime në disa nga aeroportet kryesore evropiane kanë një rritje me të paktën 15-20%. Gjithashtu, edhe rregulloret e reja mjedisore të Bashkimit Evropian duket se po i çojnë linjat ajrore drejt rritjeve të çmimeve të biletave, veçanërisht për ata që fluturojnë nga Europa. Kjo për shkak të kostove në rritje për përdorimin e karburantit të qëndrueshëm, me ndikim sa më të ulët në mjedis.
Agjentët e udhëtimit apo agjencitë turistike, për fluturimet në muajin gusht, rekomandojnë gjithmonë klientët e tyre që të përpiqen të planifikojnë të paktën 2 muaj më herët udhëtimet e tyre në këtë muaj piku, për të përfituar nga çmimet më të lira dhe të favorshme. E njëjta rritje këtë vit u vu re edhe gjatë Euro 2024 për fluturimet në drejtim të Gjermanisë, përsëri për shkak të kërkesës së madhe për të shkuar në vendin pritës të Evropianit, gjë që solli direkt edhe rritjen e çmimeve, e cila ishte e përkohshme. Ekofin.al
