Qeveria deklaroi se ligji do të modernizojë legjislacionin e punës në Greqi, por një zëdhënës i opozitës së majtë, partisë Syriza, e quajti projektligjin një “monstruozitet ligjor”.
Sipas ligjit të ri, orët vjetore shtesë kufizohen në 150, ndërsa java standarde 40-orëshe mbetet në fuqi.
Qeveria këmbëngul se dita më e gjatë e punës është opsionale, zbatohet vetëm në sektorin privat dhe mund të përdoret deri në 37 ditë në vit.
Votimi i së enjtes u mbështet nga deputetët e partisë në pushtet, Demokracia e Re (qendër e djathtë), ndërsa partia qendër e majtë Pasok – tashmë opozita kryesore – votoi kundër, dhe Syriza u përmbajt nga votimi.
Sindikatat kanë organizuar dy greva të përgjithshme gjatë këtij muaji, duke kërkuar tërheqjen e projektligjit, çka ka paralizuar transportin dhe shërbimet publike.
Ministrja e Punës, Niki Kerameus, e mbrojti ligjin duke thënë se reformat e përafron legjislacionin grek me realitetet moderne të tregut të punës, dhe akuzoi opozitën se po mashtron publikun.
Sipas qeverisë, ligji i ri u jep punonjësve mundësinë të marrin orë shtesë tek i njëjti punëdhënës me 40% pagesë më të lartë, duke garantuar se nuk mund të pushohen nga puna nëse refuzojnë të bëjnë orë shtesë.
Kjo përputhet me rregullat e Bashkimit Evropian mbi kohën e punës, të cilat kufizojnë javën mesatare në 48 orë përfshirë orët shtesë, por lejojnë fleksibilitet gjatë një periudhe 12-mujore, theksoi qeveria.
Zyrtarët thanë se ligji u jep punonjësve mundësinë të punojnë më shumë për një punëdhënës të vetëm, në vend që të kenë disa punë me kohë të pjesshme, dhe se pjesëmarrja mbetet vullnetare.
Por partitë opozitare e akuzojnë qeverinë për gërryerje të të drejtave të punëtorëve dhe për “rikthim të vendit në mesjetën e punës”.
Ata theksojnë se punonjësit grekë tashmë punojnë më shumë se shumica e evropianëve, por fitojnë më pak dhe vazhdimisht përballen me vështirësi ekonomike.
Sindikata e sektorit publik ADEDY deklaroi se oraret fleksibël “në praktikë nënkuptojnë shfuqizimin e ditës 8-orëshe, shkatërrimin e jetës familjare dhe sociale, si dhe ligjërimin e mbieksploatimit”, raporton agjencia AFP.
Në vitin 2024, Greqia kishte prezantuar tashmë një javë pune 6-ditore për disa industri, në përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike.
Legjislacioni i ri, që hyri në fuqi në fillim të korrikut, lejon punonjësit të punojnë deri në 48 orë në javë, në vend të 40-orëshit standard./Përshtati nga BBC, ekofin.al
