Një fëmijë nën 15 vjeç në Greqi nuk do të mund të hapë apo të përdorë lirisht një llogari në rrjetet sociale vetëm duke vendosur një datëlindje të rreme. Nga 1 janari 2027, vendi fqinj vendos një kufi të ri moshe për aksesin në këto platforma, ndërsa kompanitë do të duhet të kontrollojnë nëse përdoruesi është vërtet mbi 15 vjeç.
Ndryshimi më i rëndësishëm është pikërisht mënyra e kontrollit. Deri tani, në shumë platforma mjafton që përdoruesi të deklarojë vetë datëlindjen. Me rregullat e reja, kjo nuk do të jetë më e mjaftueshme. Platformat do të kenë përgjegjësinë të përdorin sisteme të besueshme për verifikimin ose vlerësimin e moshës.
Dhe problemi nuk lidhet vetëm me fëmijët që do të tentojnë të hapin llogari të reja pas hyrjes në fuqi të ligjit. Autoritetet greke kanë parashikuar edhe kontrollin e llogarive ekzistuese, pikërisht sepse shumë të mitur mund të jenë regjistruar më herët duke deklaruar një moshë më të madhe.
Të dhënat e përdorura nga qeveria greke tregojnë përmasat e fenomenit: 66% e nxënësve të shkollës fillore dhe 74% e nxënësve të arsimit të mesëm që përdorin rrjetet sociale kanë pranuar se kanë deklaruar moshë të rreme gjatë regjistrimit.
Greqia nuk ka vendosur që fëmijët t’u dërgojnë dokumentet personale kompanive të rrjeteve sociale. Një nga sistemet që mund të përdoret është Kids Wallet, i lidhur me infrastrukturën dixhitale shtetërore. Ideja është që platforma të marrë vetëm konfirmimin nëse përdoruesi e plotëson ose jo kufirin e moshës, pa marrë të dhëna të tjera të panevojshme për identitetin e tij.
Platformat mund të përdorin edhe teknologji të tjera, por ato duhet të jenë të besueshme dhe të respektojnë rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në praktikë, shteti nuk do të kontrollojë telefonin e çdo fëmije dhe as prindërit nuk do të mbajnë të vetëm barrën e zbatimit të ndalimit. Përgjegjësia kalon te kompanitë që ofrojnë rrjetet sociale: ato duhet të dallojnë përdoruesit nën kufirin e lejuar dhe t’u bllokojnë aksesin.
