Profesionet më të kërkuara, sipas tendencave që po formohen në tregun grek të punës, përfshijnë në radhë të parë profesionistët e IT-së, të ndjekur nga inxhinierët, menaxherët e shitjeve, ekonomistë, si dhe mjeshtrit e aftë.
Bizneset janë ankuar vitet e fundit për vështirësinë e gjetjes së talenteve në industrinë e teknologjisë, duke nxjerrë në pah problemin e njohur të mospërputhjes mes aftësive të punëtorëve dhe nevojave të tregut.
Në veçanti, kompanitë zbulojnë se kjo vështirësi shtrihet në 89% të personelit të teknologjisë, ndërsa pozicionet e inxhinierisë janë gjithashtu të vështira për t’u plotësuar me 72%, dhe menaxherët e shitjeve në 61%.
Pesë nevojat kryesore të tregut grek të punës, sipas një sondazhi të fundit nga Randstad, plotësohen nga kategoritë e mëposhtme: veprimet në terren – 26%, kontabiliteti / financa 24%, shërbimi ndaj klientit / pas shitjes dhe inxhinierët 23%.
Ka ende një kërkesë të shtuar në departamentet e prokurimeve, në zinxhirin e furnizimit, në prodhim, për drejtues marketingu me ekspertizë në mediat dixhitale dhe sociale, për juristë, analistë të të dhënave dhe sigurisht për profesionistë të kujdesit shëndetësor.
Në të njëjtën kohë, ka mungesë të zejtarëve të aftë, pasi të rinjtë sot shmangin profesionet artizanale, problem ky që do të rritet pasi projektet e mëdha teknike janë në zhvillim të vazhdueshëm. Problemi i mungesës së stafit me aftësi dixhitale është global. Dhe mbetet akut pavarësisht nga pushimet masive të fundit në gjigantët e teknologjisë si Google, Facebook dhe Twitter.
