Gjigandi i teknologjisë po bën investimin e tij më të madh ndonjëherë në Evropë, duke synuar të dominojë teknologjitë që lidhen me inteligjencën artificiale në ekonominë më të madhe të kontinentit. Të hënën, kompania prezantoi një paketë investimi prej 5.5 miliardë eurosh që do të shtrihet deri në vitin 2029, për të zgjeruar infrastrukturën e saj të “cloud”-it dhe të AI-së, si dhe për të krijuar një prani të fuqishme në Evropë.
Plani fokusohet në një qendër të re të të dhënave në Dietzenbach, pranë Frankfurtit, dhe në investime të reja në kampusin ekzistues të Hanau — dy lokacione që do të shërbejnë si shtylla për rajonet “cloud” të Google në Gjermani.
Kompania gjithashtu po zgjeron zyrat në Berlin, Frankfurt dhe Mynih, ku planifikon ta shndërrojë ndërtesën historike Arnulfpost në një qendër zhvillimi prej 30,000 metrash katrorë për deri në 2,000 punonjës.
Philipp Justus, menaxheri i Google për Gjermaninë dhe nënkryetar për Evropën Qendrore, e quajti këtë “programin më të madh investues të Google deri më sot në Gjermani.”
Sipas vlerësimeve të kompanisë, investimi do t’i shtojë rreth 1 miliard euro në vit PBB-së gjermane dhe do të mbështesë 9,000 vende pune çdo vit gjatë katër viteve të ardhshme.
Fushata tërheqëse e Gjermanisë
Zyrtarët gjermanë e mirëpritën ngrohtësisht këtë lëvizje.
“Investimet shumë-miliardëshe të Google janë investime vërtet të qëndrueshme për të ardhmen: në inovacion, në inteligjencë artificiale dhe në transformimin drejt neutralitetit klimatik,” tha ministri i Financave, Lars Klingbeil, duke e cilësuar marrëveshjen si dëshmi që Gjermania ende mund të tërheqë kapital të madh të huaj, pavarësisht ekonomisë së ngadalësuar. “Këto janë investime për vendet e punës së së ardhmes në Gjermani. Pikërisht këtë na duhet tani,” shtoi ai.
Edhe ministri i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger, u shpreh pozitivisht, duke theksuar dëshirën që “Gjermania të jetë në ligën e parë sa i përket qendrave të të dhënave në Evropë.”
Të dhëna, sovranitet dhe zgjerim i AI
Fabrika e re në Dietzenbach do të forcojë rrjetin gjerman të Google Cloud — pjesë e 42 rajoneve cloud në mbarë botën — duke u mundësuar kompanive si Mercedes-Benz dhe Koenig & Bauer akses më të shpejtë dhe më të sigurt në shërbime të bazuara në inteligjencë artificiale.
“Investimi i Google Cloud në qendrat e të dhënave në Gjermani është një hap i madh drejt forcimit të infrastrukturës digjitale në Evropë,” tha Magnus Östberg, Shef i Softuerit në Mercedes-Benz.
Vendndodhjet gjermane do të vazhdojnë të ofrojnë shërbime “cloud sovrane” të krijuara për të përmbushur kërkesat lokale të qeverisjes së të dhënave, si një sinjal ndaj rregullatorëve evropianë të kujdesshëm ndaj dominimit të teknologjive amerikane.
“E ardhmja digjitale sovrane duhet të ndërtohet në Evropë, për Evropën,” tha Marianne Janik, nënkryetare e Google Cloud për Evropën Veriore. “Kjo do të thotë investime të thella dhe strukturore në ekonomitë lokale — krijim vendesh pune dhe një ekosistem të gjallë teknologjik evropian.”
Energjia e pastër dhe edukimi digjital
Krahas shtytjes digjitale, Google po rrit përpjekjet për dekarbonizimin e operacioneve të saj në Gjermani. Kompania do të zgjerojë partneritetin për energji pa karbon me Engie deri në vitin 2030, duke siguruar energji nga projekte të reja me erë dhe diell në tokë, si dhe duke integruar sisteme baterish dhe ruajtje hidroenergjetike.
Në Dietzenbach, Google do të nisë gjithashtu projektin e saj të parë për rikuperimin e nxehtësisë në Gjermani, në bashkëpunim me ofruesin lokal Energieversorgung Offenbach, për të kapur nxehtësinë e tepërt nga qendra e të dhënave dhe për ta kanalizuar atë në rrjetin e ngrohjes së qytetit — mjaftueshëm për të ngrohur mbi 2,000 banesa.
Gjigandi i teknologjisë po e shoqëron këtë zhvillim me iniciativa për aftësi digjitale në shkollat dhe fondacionet lokale në Hanau dhe Dietzenbach, duke financuar programe në kodim, arsimim STEM dhe zhvillim prototipesh./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
