Disney ka bërë të ditur se parqet e saj argëtuese në SHBA do të pësojnë një goditje në muajt në vijim për shkak të rënies së numrit të vizitorëve ndërkombëtarë.
Kompania tha se do ta kompensojë këtë situatë përmes marketingut të shtuar për klientët amerikanë dhe se ende pret që biznesi i parqeve – një burim kyç fitimi – të sjellë rritje modeste.
Numri i vizitorëve të huaj në SHBA ra vitin e kaluar për herë të parë që nga viti 2020, ndërsa disa analistë e lidhin këtë me reagimet negative ndaj politikave të presidentit Donald Trump.
Disney nuk iu përgjigj një pyetjeje se çfarë po e nxit këtë ndryshim, por komentet e saj shtojnë shqetësimet se ndjenjat kundër SHBA-së tek turistët janë rritur këtë vit.
SHBA-ja ka rritur tashmë tarifat në parqet kombëtare për vizitorët e huaj dhe po shqyrton mundësinë që vizitorët nga dhjetëra vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të detyrohen të dorëzojnë historikun e tyre pesëvjeçar në rrjetet sociale.
Sipas Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit (World Travel & Tourism Council), i cili përfaqëson industrinë dhe ka kryer një sondazh të fundit mbi këtë plan, një e treta e udhëtarëve ndërkombëtarë thonë se kanë më pak gjasa të vizitojnë SHBA-në nëse këto kontrolle në rrjetet sociale vendosen.
Të dhënat paraprake nga Administrata Amerikane e Tregtisë Ndërkombëtare (ITA) tregojnë se vizitat e huaja në SHBA ranë me 2.5% vitin e kaluar, pa përfshirë shifrat nga Meksika dhe Kanadaja, historikisht ndër burimet më të mëdha të vizitorëve.
Goditja pritet të jetë dukshëm më e madhe pasi të përfshihen edhe shifrat nga Kanadaja.
Vizitat nga ky vend, ku u shfaq një lëvizje bojkoti ndaj SHBA-së pasi Trump vendosi tarifa ndaj Kanadasë, ranë me më shumë se 20% në nëntë muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas ITA-së.
Vitin e kaluar, pjesëmarrja në parqet e Disney-t në Kaliforni dhe Florida ra me 1%.
Drejtuesit thanë se, pavarësisht paralajmërimit për “vështirësi nga vizitat ndërkombëtare”, rezervimet në parqet amerikane janë ende në rrugë të mbarë për t’u rritur me 5% këtë vit.
Pjesëmarrja u rrit me 1% në tremujorin më të fundit, ndërsa të ardhurat totale nga parqet në SHBA dhe jashtë saj u rritën me 6% nga viti në vit, duke arritur në mbi 10 miliardë dollarë (7.3 miliardë paund).
Guy Bisson nga Ampere Analysis tha se shifrat sugjerojnë se ndikimi te kompania, nëse udhëtarët ndërkombëtarë vazhdojnë të mungojnë, nuk do të jetë i rëndë.
“Nuk do të jetë aq i shkëlqyer sa kishin shpresuar apo sa do të ishte zakonisht… por nuk është as një katastrofë totale,” tha ai.
Aksionet e Disney-t ranë me 4% të hënën pasi kompania publikoi rezultatet e saj.
Të ardhurat totale në tremujor u rritën me 5% nga viti në vit në 26 miliardë dollarë, të nxitura nga publikimi i filmave si vazhdimet e Zootopia dhe Avatar.
Megjithatë, fitimet ranë pothuajse me 6%, pasi rritja e kostove të përmbajtjes dhe shpërndarjes rëndoi mbi rezultatin financiar./Përshtati nga BBC, ekofin.al
