Një gjyqtar ka bllokuar përkohësisht presidentin amerikan, Donald Trump që të pushonte, por me pagesë, 2 200 punonjës të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), disa orë përpara se masa të hynte në fuqi, sipas BBC.
Gjykatësi Carl Nichols lëshoi një urdhër ndalimi të përkohshëm, “të kufizuar”, në përgjigje të një padie të minutës së fundit të ngritur nga dy sindikata që përpiqeshin të shpëtonin agjencinë.
Urdhri do të qëndrojë në fuqi për një javë, deri më 14 shkurt në mesnatë.
”Sot, një tjetër gjykatës federal bllokoi Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) të Elon Musk që të hynte në të dhënat e Departamentit të Thesarit që përfshijnë të dhënat personale financiare të miliona amerikanëve”, raportuan mediat amerikane.
Trump ka argumentuar se USAID nuk përbën një përdorim të vlefshëm të parave të taksapaguesve dhe dëshiron ta çmontojë atë.
Ai planifikon të lërë në pushim pothuajse të gjithë 10 000 punonjësit e agjencisë, me përjashtim të 611 të tillëve.
Rreth 500 punonjës tashmë ishin vënë në leje administrative dhe 2 200 të tjerë do t’u bashkoheshin atyre nga mesnata e së premtes (05:00 GMT).
Por, padia e minutës së fundit të së premtes argumentoi se qeveria po shkelte Kushtetutën e SHBA dhe gjithashtu se punonjësit po dëmtoheshin.
Gjykatësi Nichols mbajti anën e sindikatave, duke thënë se ata do të pësonin “dëm të pariparueshëm” nëse gjykata nuk ndërhynte, ndërsa do të kishte “zero dëm për qeverinë”.
Urdhri rikthen gjithashtu 500 punonjësit e vendosur tashmë në leje administrative.
“Të gjithë punonjësit e USAID-it aktualisht në pushim administrativ do të rikthehen në punë deri në atë datë, dhe do t’u jepet akses i plotë në sistemet e njoftimeve të postës elektronike, pagesave dhe sigurisë deri në atë datë, dhe asnjë punonjës shtesë nuk do të vendoset në pushim administrativ para asaj date”, shkroi Nichols.
USAID është donatori më i madh i ndihmës në botë – me një pjesë të madhe të buxhetit të shpenzuar në programet shëndetësore në mbarë botën.
Dy të tretat e 10 000 personave të stafit të saj punojnë jashtë shtetit.
Disa orë pasi Trump mori detyrën, më 20 janar, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalonte të gjithë ndihmën e huaj derisa këto fonde të verifikoheshin dhe të përputheshin me politikën e tij “Amerika e para”.

