Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka përballuar gjatë vitit 2025 një rritje të ndjeshme të ngarkesës, duke ruajtur një nivel të lartë efiçence, por edhe duke reflektuar presionin në rritje të çështjeve të reja.
Viti ka nisur me një stok prej 16 çështjesh të mbartura, rreth 36% më pak krahasuar me vitin 2024, çka tregon një ulje të backlog-ut në hyrje. Megjithatë, gjatë vitit ky stok është rritur lehtë, duke arritur në 24 çështje në fund të 2025-ës, ose 8 çështje më shumë se në fillim të vitit. Në total, gjatë vitit janë gjykuar 437 çështje, 9% më shumë se një vit më parë, duke dëshmuar një ritëm të lartë pune.
Rritja më e fortë vjen nga hyrjet e reja. Në vitin 2025 janë regjistruar 445 çështje të reja, 13% më shumë se në vitin 2024 dhe niveli më i lartë i regjistrimeve në pesë vitet e fundit. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në ngarkesën e gjyqtarëve, edhe pse rendimenti mesatar është rritur vetëm me 2%. Çdo gjyqtar ka trajtuar mesatarisht 44 çështje gjatë vitit. Ndërkohë, norma e likuidimit të çështjeve ka qenë 98%, rreth 4% më e ulët se një vit më parë, çka tregon se jo të gjitha çështjet e reja janë arritur të mbyllen brenda vitit.
Në aspektin e kohëzgjatjes, procesi gjyqësor mbetet relativisht i shpejtë, megjithëse ka një zgjatje të lehtë të afateve. Koha mesatare për përfundimin e një çështjeje është rritur nga 14.5 ditë në vitin 2024 në 20 ditë në vitin 2025. Pavarësisht kësaj, 99% e çështjeve janë përfunduar brenda 6 muajve, duke treguar një ritëm të lartë të shqyrtimit.
Sa i përket cilësisë së vendimmarrjes, të dhënat e raportit tregojnë një stabilitet të konsiderueshëm. Rreth 75% e vendimeve të shkallës së parë janë lënë në fuqi, 8% janë kthyer për rigjykim ose janë ndryshuar, ndërsa 17% përbëjnë vendimmarrje të tjera.
Sipas raportit, pavarësisht rritjes së volumit dhe zgjatjes së lehtë të kohës së shqyrtimit, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vijon të mbetet ndër institucionet më efikase të sistemit gjyqësor, duke përballuar një fluks të lartë çështjesh me ritme të shpejta dhe standarde të qëndrueshme vendimmarrjeje. /ekofin.al

