Komisioni i Përhershëm për Vaksinim STIKO rekomandon vaksinimin e tretë për të gjithë, nga mosha 18 vjeç. Vaksinimi mund të bëhet edhe nëse nga vaksina e dytë nuk kanë kaluar gjashtë muaj.
Drejtuesi i STIKO Thomas Mertens ka paralajmëruar mbrëmë në televizionin e Dytë gjerman ZDF se rekomandimi për vaksinimin e tretë të personave mbi 18 vjeç do të publikohet sot. I të njëjtit mendim është edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë Jens Spahn.
Duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të infeksioneve, thirrjet për vaksinime më të shpejta përforcuese kanë shkaktuar debate të shumta ditët e fundit. Deri tani në Gjermani janë vaksinuar me një vaksinë të tretë përforcuese rreth katër milionë njerëz, sipas shifrave të fundit nga Instituti Robert Koch (RKI).
Asociacioni i Qyteteve dhe Bashkive bën të ditur se ringritja afatshkurtër e qendrave të vaksinimit kundër Coronës nuk është reale. “Ne nuk do të jemi në gjendje të ringrisim qendrat e vaksinimit, ashtu siç ishin, në afat të shkurtër. Ato do të kthehen në veprim në fund të janarit ose në në fillim të shkurtit”, tha Drejtori i Përgjithshëm Gerd Landsberg për gazetën “Rheinische Post”. Ai shtoi megjithatë se komunat do të “dëshironin të mbështesin” një strategji të shpejtë për vaksinimin përforcues.
Më shumë se 400 qendra vaksinimi në Gjermani kanë luajtur një rol qendror në pranverë dhe verë, por shumica prej tyre aktualisht nuk janë në funksion. Ministri i Shëndetësisë Spahn ka kërkuar në filimi të muajit rihapjen e qendrave.
Për shkak të infektimeve të shumta të personave të vaksinuar, është rritur kohët e fundit presioni për të dhënë dritën jeshile për vaksinat përforcuese edhe para kalimit të gjashtë muajve, të parashikuar. Deri tani STIKO ka rekomanduar vetëm vaksinimin e personave mbi 70 vjeç, personave me probleme shëndetësore apo atyre që punojnë me të moshuar apo në spitale. Por kryetari i STIKO Thomas Mertens ka bërë të ditur mbrëmë në ZDF se sot do të jepet drita jeshile për vaksinimin e të gjithë personave mbi moshën 18 vjeç.
Incidenca shtatë-ditore e infeksioneve të reja me Corona ndërkohë është rritur sërish në Gjermani. Instituti Robert Koch (RKI) ka bërë të ditur të mërkurën në mëngjes, se incidenca është rritur në 319.5 të infektuar në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh, që është niveli i ri rekord për të dhjetën ditë me radhë. Një ditë më parë incidenca ishte 312.4. / Deutsche Welle