Gjermania është kthyer në destinacionin kryesor për mjekët nga Shqipëria dhe Kosova që planifikojnë të emigrojnë, ndërsa pagat më të larta, kushtet më të mira të punës dhe mundësitë për specializim po shtyjnë gjithnjë e më shumë profesionistët e rinj drejt largimit nga Ballkani Perëndimor. Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit të European Training Foundation (ETF) mbi migrimin e mjekëve nga Shqipëria dhe Kosova.
Gjermania është zgjedhja kryesore për të gjitha grupmoshat e mjekëve që planifikojnë të largohen, por sidomos për të rinjtë. Nga mjekët shqiptarë të grupmoshës 24-40 vjeç, 38.3% preferojnë Gjermaninë, krahasuar me 22.9% të mjekëve mbi 40 vjeç. Në Kosovë, diferenca është edhe më e fortë: 51.9% e mjekëve 24-40 vjeç zgjedhin Gjermaninë, ndërsa kjo përqindje bie në 20.8% për grupmoshat mbi 40 vjeç.
Pas Gjermanisë, mjekët shqiptarë shfaqin interes më të lartë për SHBA-në, ku duan të emigrojnë 12.2% e mjekëve të rinj dhe 16.2% e atyre mbi 40 vjeç. Britania e Madhe tërheq 8.9% të mjekëve shqiptarë të rinj dhe 10.5% të atyre më të moshuar, ndërsa Italia mbetet destinacion i rëndësishëm për 7.2% të mjekëve 24-40 vjeç dhe 8.6% të grupmoshës mbi 40 vjeç.
Në Kosovë, pas Gjermanisë renditet Zvicra, e preferuar nga 22.1% e mjekëve 24-40 vjeç dhe 12.5% e atyre mbi 40 vjeç. SHBA renditet e treta për kosovarët, me 16.7% të mjekëve mbi 40 vjeç që e zgjedhin si destinacion.
Raporti evidenton se pothuajse dy të tretat e mjekëve shqiptarë që planifikojnë emigrimin synojnë Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë ose Amerikën e Veriut, ndërsa dy të tretat e mjekëve kosovarë preferojnë Gjermaninë dhe Zvicrën.
Sipas ETF, preferenca për Gjermaninë lidhet me disa avantazhe që ky vend ofron për mjekët e huaj, përfshirë ata nga Shqipëria dhe Kosova. Raporti përmend si faktor kyç “Western Balkan Regulation” të qeverisë gjermane të vitit 2016, që lehtëson hyrjen e profesionistëve nga Ballkani Perëndimor dhe njohjen e diplomave mjekësore. Po ashtu ndikojnë pagat e larta, sistemi i fortë social, avancimi në bazë merite dhe kushtet më të mira të punës.
Diellza, një mjeke e sapodiplomuar nga Tirana që synon të emigrojë, shpjegon preferencën e saj për Gjermaninë:
“Ishim 22 studentë në klasën tonë të diplomimit dhe 17 prej tyre donin të emigronin, kryesisht në Gjermani, por edhe në Itali dhe Suedi. Gjermania preferohet për shkak të procedurave më të thjeshta për të arritur atje. Prania në Tiranë e qendrave që ofrojnë informacion rreth Gjermanisë e bën të gjithë procesin më të lehtë. Italia zgjidhet për shkak të afërsisë me Shqipërinë, por pagat janë më të ulëta dhe diplomat tona nuk njihen atje. Suedia gjithashtu ka nevojë për mjekë dhe ofron paga të larta, por gjuha është ende një pengesë për shumë, veçanërisht midis mjekëve të rinj.”
Shqipëria: pagat dhe standardi i jetesës shtyjnë emigrimin
Sipas raportit, faktorët ekonomikë dominojnë arsyet e emigrimit për mjekët shqiptarë. Plot 68.1% e tyre deklarojnë se largohen për arsye ekonomike. Kjo përqindje rritet në 69.1% për grupmoshën 24-40 vjeç.
Nga arsyet specifike, 22.8% e mjekëve shqiptarë deklarojnë se kërkojnë përmirësim të standardit të jetesës, ndërsa 24.1% e mjekëve të rinj ndajnë të njëjtin motiv. Kushtet e pakënaqshme të punës përmenden nga 21.4% e mjekëve shqiptarë dhe nga 22.9% e të rinjve. Pagat e ulëta përmenden nga 19.3% e mjekëve në total dhe 17.5% e grupmoshës 24-40 vjeç.
Raporti evidenton se vetëm 1.1% e mjekëve shqiptarë përmendin papunësinë si arsye emigrimi, çka tregon se problemi kryesor në Shqipëri nuk është mungesa e punës, por cilësia e kushteve të punës dhe niveli i të ardhurave.
Arsyet arsimore përbëjnë 17.8% të motiveve të emigrimit në Shqipëri, ndërsa 11.7% e mjekëve largohen për trajnim dhe specializim personal. Për grupmoshën e re, kjo shifër rritet në 16.8%.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është perceptimi për mungesë perspektive në vend. Sipas raportit, 6.7% e mjekëve shqiptarë deklarojnë se largohen sepse “nuk ka të ardhme për mua dhe familjen time në Shqipëri”.
Kosova: specializimi dominon mbi pagën
Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë arsyeja kryesore e emigrimit është edukimi dhe specializimi profesional. Sipas raportit, 33.4% e mjekëve kosovarë largohen për arsye arsimore, ndërsa për grupmoshën 24-40 vjeç kjo shifër arrin në 35.6%.
Veçanërisht e fortë është dëshira për specializim: 28.8% e mjekëve kosovarë dhe 33% e të rinjve deklarojnë se emigrojnë për trajnim dhe specializim profesional.
Megjithatë, faktorët ekonomikë mbeten shumë të rëndësishëm edhe në Kosovë. Plot 56.2% e mjekëve kosovarë deklarojnë arsye ekonomike si motiv kryesor për emigrim. Kushtet e punës përmenden nga 23.5% e mjekëve, përqindje më e lartë se në Shqipëri, ndërsa 11.9% kërkojnë standard më të mirë jetese.
Raporti tregon gjithashtu se papunësia është shumë më problematike në Kosovë sesa në Shqipëri. Plot 8.5% e mjekëve kosovarë dhe 9.9% e mjekëve të rinj deklarojnë se emigrimi lidhet me mungesën e punësimit.
ETF paralajmëron për rrezikun e “brain drain”
Studimi paralajmëron se largimi i mjekëve po kthehet në një kërcënim serioz për sistemet shëndetësore të Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas autorëve, kombinimi i pagave të ulëta, kushteve të dobëta të punës dhe mungesës së perspektivës profesionale po krijon një “brain drain” të vazhdueshëm, sidomos mes të rinjve. /ekofin.al

