Hyrja e një prej rrjeteve më të mëdha evropiane të shitjes me pakicë, Lidl, në tregun shqiptar po hyn në fazën finale, duke sinjalizuar një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit për sektorin retail në vend.
Kryeministri Edi Rama konfirmoi gjatë eventit Match-Maker Albania se kompania gjermane është duke përmbyllur përgatitjet dhe pritet të inaugurojë shumë shpejt pikën e saj të parë.
Sipas Ramës, përfaqësuesit e Lidl janë aktualisht në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare për të finalizuar hyrjen në treg, ndërsa theksoi se investime të tilla sjellin standarde të reja dhe rrisin cilësinë e shërbimeve për konsumatorët. “Njerëzit e Lidl që janë këtu, po punojnë me ne dhe shpejt do të çelin objektin e tyre të parë,” u shpreh ai, duke e konsideruar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për klimën e investimeve në vend.
Në fakt, hyrja e Lidl nuk është një proces i ri, por një projekt i strukturuar prej kohësh. Në prill 2025, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi dhënien e statusit “Investitor Strategjik – Procedurë e Veçantë” për projektin “LIDL – Shqipëria Qendër Logjistike”, që parashikon një investim mbi 105 milionë euro. Ky projekt përbën bazën infrastrukturore të operimit të kompanisë në Shqipëri dhe në rajon.
Investimi do të zhvillohet në zonën e Porto Romanos në Durrës, brenda gjurmës së projektit të ri të Portit Tregtar të Integruar, në bashkëpunim me Autoritetin Portual Durrës. Projekti parashikon ndërtimin e një qendre logjistike moderne në një sipërfaqe rreth 200 mijë m², e cila do të shërbejë si nyja kryesore për magazinimin dhe shpërndarjen e produkteve.
Kjo qendër nuk do të furnizojë vetëm tregun vendas, por synon të krijojë një platformë për grumbullimin dhe promovimin e produkteve shqiptare drejt eksportit, duke e kthyer investimin në një hallkë me ndikim më të gjerë ekonomik. Paralelisht, kompania planifikon ndërtimin e një rrjeti të gjerë supermarketesh në vend, duke hyrë drejtpërdrejt në konkurrencë me operatorët ekzistues të tregut.
Një tjetër element me peshë është punësimi. Sipas planit të miratuar, projekti pritet të gjenerojë rreth 2,500 vende pune, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e punës, veçanërisht në zonën e Durrësit dhe Tiranës.
Aktualisht kompania ka nisur një proces rekrutimi kryesisht për stafin menaxherial, ndërsa me hapjen e supermarketeve pritet të punësojë edhe staf tjetër ndihmës.
Nga këndvështrimi ekonomik, hyrja e Lidl pritet të prodhojë disa efekte zinxhir në tregun shqiptar të pakicës. Së pari, rritja e konkurrencës mund të ushtrojë presion mbi çmimet dhe të përmirësojë ofertën për konsumatorët. Së dyti, standardet e zinxhirit të furnizimit dhe të logjistikës pritet të ndikojnë edhe tek operatorët vendas, duke i shtyrë drejt modernizimit dhe rritjes së efikasitetit. Së treti, përfshirja e prodhuesve vendas në rrjetin e furnizimit të një marke ndërkombëtare mund të hapë mundësi të reja për eksport. /ekofin.al
