Shqipëria ka vijuar të regjistrojë rritje të flukseve të shtetasve të huaj edhe në kulmin e sezonit turistik. Gjatë korrikut 2026, në vend kanë hyrë 1,955,099 shtetas të huaj, ose rreth 130 mijë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në korrik 2025 në Shqipëri kishin hyrë 1,825,490 shtetas të huaj. Brenda një viti, numri është shtuar me 129,609 hyrje, duke përfaqësuar një rritje prej 7.1%.
Korriku përforcon kështu tendencën pozitive të turizmit hyrës, megjithëse duhet pasur parasysh se statistikat e INSTAT matin hyrjet në pikat kufitare dhe jo numrin e individëve unikë që kanë vizituar vendin. Një person që hyn disa herë në Shqipëri numërohet si një hyrje e re në çdo rast.
Pjesa dërrmuese e fluksit vijon të vijë nga Evropa. Në korrik 2026 u regjistruan 1.83 milionë hyrje të shtetasve të huaj nga vendet europiane, kundrejt 1.73 milionë në korrik të vitit të kaluar. Evropa Jugore mbetet burimi kryesor, me rreth 1.18 milionë hyrje, ndërsa një rritje e fortë vihet re nga Evropa Qendrore/Lindore, nga 174 mijë në korrik 2025 në mbi 231 mijë në korrik 2026.
Sipas INSTAT, 99% e hyrjeve të shtetasve të huaj janë për qëllime personale. Në korrik, hyrjet për këtë kategori u rritën me 7.3% në raport me një vit më parë, ndërsa hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale ranë me 8.9%.
Mbi 7 milionë hyrje të të huajve në shtatë muaj
Rritja nuk kufizohet vetëm te korriku. Për periudhën janar-korrik 2026, Shqipëria regjistroi gjithsej 7,014,168 hyrje të shtetasve të huaj, nga 6,587,138 në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Kjo do të thotë se gjatë shtatë muajve të parë të vitit janë regjistruar rreth 427 mijë hyrje të huajsh më shumë, ose një rritje vjetore prej 6.5%.
Edhe në këtë periudhë Evropa dominon dukshëm strukturën e flukseve. Nga janari deri në korrik janë regjistruar rreth 6.6 milionë hyrje nga Evropa, nga 6.26 milionë një vit më parë. Evropa Jugore përfaqëson pjesën më të madhe, me mbi 4.72 milionë hyrje, ndërsa Evropa Qendrore/Lindore është rritur nga rreth 466 mijë në mbi 606 mijë hyrje.
Shifrat tregojnë se Shqipëria po hyn në pjesën e fundit të sezonit veror me një volum më të lartë të flukseve hyrëse sesa vitin e kaluar. Vetëm gjatë korrikut, shtetasit e huaj përbënin rreth 69% të të gjitha hyrjeve në territorin shqiptar.
Shqiptarët udhëtojnë më shumë jashtë vendit
Në rritje vijojnë të jenë edhe lëvizjet e shqiptarëve jashtë vendit, ndonëse gjatë korrikut ritmi ka qenë dukshëm më i ulët se ai i hyrjeve të të huajve.
Në korrik 2026, nga Shqipëria dolën 790,261 shtetas shqiptarë, krahasuar me 782,849 në korrik 2025. Diferenca është vetëm rreth 7,400 dalje më shumë, ose një rritje prej 0.9% në terma vjetorë.
Por nëse merret në konsideratë e gjithë periudha janar-korrik, rritja është më e dukshme. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar 4,982,078 dalje të shtetasve shqiptarë, nga 4,771,188 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në terma absolutë bëhet fjalë për rreth 211 mijë dalje më shumë, ose një rritje prej 4.4% krahasuar me janar-korrikun 2025.
Në total, gjatë korrikut 2026 në territorin shqiptar kanë hyrë 2.83 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, 6.1% më shumë se një vit më parë, ndërsa kanë dalë 2.66 milionë persona, me një rritje prej 3.3%.
Të dhënat e INSTAT janë paraprake dhe bazohen në informacionin administrativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Instituti sqaron gjithashtu se hyrjet dhe daljet matin kalimet kufitare dhe, për rrjedhojë, nuk duhen interpretuar automatikisht si numër unik turistësh apo udhëtarësh. /ekofin.al

