Pas dy ditësh të mbushura me ide të reja, energji dhe inovacion, eventi Future2Tech që u zhvillua në Tiranë u mbyll duke lënë pas një panoramë shpresëdhënëse për të ardhmen digjitale të Shqipërisë.
E konceptuar si një platformë për të bashkuar startup-et, institucionet publike dhe investitorët, Future2Tech tregoi se ekosistemi inovativ shqiptar është në rritje të vazhdueshme dhe gjithnjë e më i lidhur me tregun global.
Angazhimi institucional për inovacionin
Në përmbyllje të aktivitetit, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se qeveria shqiptare po investon seriozisht në të ardhmen digjitale të vendit, duke e konsideruar inovacionin një prioritet kombëtar.
“Startup Albania Agency, Agjencia për Inovacion dhe Ekselencë dhe Durana Tech Park ishin pjesë e këtij rrugëtimi, që tregon se jemi në drejtimin e duhur. Po ndërtojmë një ekosistem që mbështet të rinjtë, nxit kreativitetin dhe u hap dyert zgjidhjeve teknologjike që i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, Shqipëria po shkon me ritme të shpejta drejt një ekonomie të bazuar në dije dhe teknologji, ku inovacioni nuk është më opsion, por domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm.
Startup-e dhe ide që marrin jetë
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrës nga fusha të ndryshme si teknologjia, edukimi, financat dhe politika, diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë e sektorit të inovacionit. U prezantuan shembuj konkretë të suksesit të startup-eve shqiptare që po depërtojnë në tregjet ndërkombëtare, duke treguar potencialin e gjeneratës së re të sipërmarrësve vendas.
Panelet dhe sesionet interaktive sollën në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit ndërsektorial, si dhe nevojën për një ekosistem mbështetës që lidh idetë me investimet dhe tregun.
Një pikënisje për bashkëpunime të reja
Future2Tech nuk ishte vetëm një event, por një pikënisje për partneritete të reja mes aktorëve lokalë dhe ndërkombëtarë. Mesazhi i përcjellë ishte i qartë: Shqipëria po ndërton themelet e një ekonomie të re të bazuar në dije, inovacion dhe bashkëpunim, ku startup-et kanë një rol qendror.
Me përkushtimin e institucioneve dhe energjinë e komunitetit të sipërmarrësve, vendi po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm për teknologjinë dhe inovacionin në rajon. Aktiviteti u organizua nga Iceberg Exibitions dhe Albania Tech. /ekofin.al
