Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulla të reja për transferimin ose dhënien me qira të të drejtave të përdorimit të frekuencave, duke synuar rritjen e efikasitetit të spektrit dhe forcimin e konkurrencës në tregun e komunikimeve elektronike.
Vendimi vendos një kuadër të detajuar për mënyrën se si operatorët mund të kalojnë ose të japin me qira frekuencat, duke e kushtëzuar çdo transaksion me miratimin paraprak të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Qëllimi është garantimi i një procesi transparent dhe jodiskriminues, në mbrojtje të konkurrencës dhe interesit publik, si dhe përdorimi sa më racional i një burimi të kufizuar si spektri.
Neni 4 përcakton se transferimi ose dhënia me qira e frekuencave bëhet me iniciativën e mbajtësit të tyre dhe lejohet vetëm nëse plotësohen kushtet ligjore dhe miratohet nga AKEP. Autoriteti ka të drejtë të refuzojë çdo kërkesë që cenon konkurrencën, rrit përqendrimin e spektrit, ndikon negativisht në treg, në rrjetet ekzistuese, në menaxhimin efikas të frekuencave apo prek interesin publik dhe sigurinë.
AKEP ndërhyn që në fazën fillestare për të parandaluar krijimin e pozitave dominuese dhe pengimin e hyrjes së operatorëve të rinj në treg. Edhe pas transferimit ose dhënies me qira, të gjitha kushtet teknike dhe detyrimet e autorizimit fillestar mbeten në fuqi, ndërsa detyrimet specifike përcaktohen rast pas rasti nga AKEP në vendimin përfundimtar.
Në praktikë, rregullorja vendos një filtër të fortë rregullator mbi çdo marrëveshje, pasi AKEP ka të drejtë të refuzojë kërkesat që mund të çojnë në përqendrim të tepruar të frekuencave, rritje çmimesh, pengim të hyrjes së operatorëve të rinj apo përkeqësim të cilësisë së shërbimeve. Procesi i miratimit zhvillohet në disa faza dhe, në rastet më komplekse, mund të zgjasë deri në 90 ditë për një vlerësim të thelluar, duke përfshirë edhe opinionin e Autoritetit të Konkurrencës.
Parashikimet konkrete për tregun tregojnë se ky vendim mund të sjellë një rikonfigurim gradual të përdorimit të spektrit në vend. Në afatshkurtër, pritet rritje e marrëveshjeve të qirasë së frekuencave, sidomos midis operatorëve më të vegjël dhe atyre me portofol më të madh spektri, si një mënyrë për të optimizuar kapacitetet pa hyrë në procese të gjata licencimi. Kjo mund të përshpejtojë shtrirjen e shërbimeve broadband dhe 5G në zona ku investimi direkt ka qenë më i ngadaltë.
Në afatmesëm, rregullat e reja pritet të kufizojnë akumulimin e frekuencave në pak duar, pasi çdo tentativë për përqendrim do të filtrohet nga AKEP mbi bazë të analizës së konkurrencës. Për tregun kjo do të thotë se modeli i zhvillimit do të jetë i orientuar drejt shpërndarjes më të balancuar të burimeve, duke favorizuar hyrjen ose forcimin e operatorëve alternativë.
Ndërkohë, detyrimi për raportim vjetor dhe mbikëqyrja e vazhdueshme do të rrisin transparencën mbi mënyrën e përdorimit të frekuencave, çka mund të ndikojë edhe në politikat e ardhshme të shpërndarjes së spektrit, përfshirë ankandet e reja./ekofin.al
