Franca po përgatitet për protesta të mëdha të martën, pasi organizatorët kanë bërë thirrje për një ditë mbarëkombëtare veprimi në mbështetje të nxënësve që kërkojnë më shumë investime në arsim.
Kjo vjen pas një jave demonstratash, gjatë së cilës nxënësit bllokuan qindra shkolla, të paktën 190 nxënës u plagosën dhe më shumë se 5 000 persona u arrestuan.
Një nxënësi iu këput dora pas një shpërthimi gjatë një përplasjeje të hënën, ndërsa një tjetër thuhet se u godit në kokë nga një granatë me gaz lotsjellës javën e kaluar.
Kryeministri francez tha se qeveria kishte njoftuar masa për të adresuar kërkesat e tyre, por Union Syndicale Lycéenne (USL), një nga organizatorët kryesorë të protestave, tha se qeveria nuk kishte ofruar “asgjë konkrete”.
Organizata u bëri thirrje njerëzve t’i bashkohen mobilizimit të së martës përballë “këtij ngërçi politik dhe asaj që ne e përshkruajmë si represion të paprecedentë ndaj lëvizjes”.
Disa organizata të tjera kanë shprehur gjithashtu mbështetjen e tyre për nxënësit, ndërsa sindikata e mësuesve SNES-FSU u ka bërë thirrje anëtarëve të saj t’i bashkohen protestës së së martës.
Udhëheqësi i së majtës radikale La France Insoumise (LFI), Jean-Luc Mélenchon, i përshkroi protestat si “lëvizja më e fuqishme e të rinjve të shkollave të mesme dhe universiteteve” që prej vitit 1968 – një vit trazirash të mëdha, gjatë të cilit miliona punëtorë hynë në grevë.
Vala e demonstratave filloi në shtator në Paris dhe është përhapur në të gjithë vendin, ndërsa nxënësit protestojnë për një sërë çështjesh, përfshirë klasat e mbipopulluara, ndërtesat e amortizuara dhe mungesën e mësuesve.
Protestat nisën nga nxënësit e shkollave të mesme, të cilëve më vonë iu bashkuan edhe studentët e universiteteve.
Të dielën, kryeministri francez Sébastien Lecornu njoftoi një sërë masash për të “adresuar vështirësitë me të cilat përballen nxënësit e arsimit të mesëm dhe stafi arsimor”, duke premtuar “ndryshime të dukshme” në shkolla.
Megjithatë, ai tha gjithashtu: “Nuk do të bëjmë asnjë lëshim ndaj dhunës. Ne qëndrojmë në krah të nxënësve dhe stafit që janë sulmuar, si edhe të policëve dhe xhandarëve që janë plagosur.”
Trazirat nuk kanë përfshirë vetëm bllokimin e shkollave, por edhe djegien e kazanëve të mbeturinave. Ministri i Arsimit Édouard Geffray tha se 24 shkolla ishin “djegur dhe plaçkitur” që nga fillimi i protestave.
Përplasjet e dhunshme mes nxënësve dhe policisë kanë shkaktuar disa plagosje të rënda gjatë protestave deri tani.
Të hënën, dora e një djali 15-vjeçar u këput pas një shpërthimi gjatë një përplasjeje pranë një shkolle në qytetin verior Lens. Nxënësi u transportua në një spital aty pranë dhe, sipas zyrtarëve, dëmtimi i tij nuk është kërcënues për jetën.
Javën e kaluar, Edeni, 14 vjeç, u plagos rëndë në Saint-Ouen-l’Aumône pasi, sipas raportimeve, u godit në kokë nga një granatë me gaz lotsjellës.
Nxënësi pësoi “frakturë të dyfishtë të nofullës” dhe iu nënshtrua një “operacioni jashtëzakonisht të madh”, sipas avokatit të tij.
Duke folur në një konferencë për shtyp të hënën, nëna e Edenit tha se zemra e saj ishte “copëtuar”.
“Është e turpshme, është e tmerrshme, është e dhunshme, është e llahtarshme”, raportoi media franceze BFMTV duke cituar fjalët e saj.
“Kjo nuk duhet të ndodhë. Ata kanë të bëjnë me fëmijë që kërkojnë kushte më të mira për të studiuar.”
Nga 5 060 personat e arrestuar që nga fillimi i lëvizjes, 87% ishin të mitur dhe 13% të rritur, sipas Ministria Franceze e Drejtësisë.
Katërmbëdhjetë persona thuhet se janë vendosur në paraburgim, ndërsa 1 802 persona po përballen me ndjekje penale, përfshirë 319 të rritur dhe 1 483 të mitur.
USL-ja e ka akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve. Duke iu përgjigjur kësaj akuze javën e kaluar, ministri i Brendshëm Laurent Nuñez tha se demonstratat ishin menaxhuar nga policia në një mënyrë “jashtëzakonisht proporcionale”.
Ndërsa zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë janë ende disa muaj larg, protestat dhe reagimi i autoriteteve franceze janë politizuar fuqishëm.
Qeveria dhe politikanët e së djathtës ekstreme kanë akuzuar të majtën radikale se po nxit protestat. Lecornu tha se LFI-ja po sillej “në mënyrë të papërgjegjshme” duke bërë thirrje për zgjerimin e lëvizjes.
Udhëheqësja e së djathtës ekstreme të Rassemblement National, Marine Le Pen, ka kritikuar gjithashtu të majtën për reagimin e saj.
“Kjo nuk ka të bëjë më me protestat e nxënësve të shkollave të mesme. Bëhet fjalë për trazira të organizuara nga profesionistë dhe të mbikëqyrura nga deputetë të La France Insoumise”, tha ajo, duke bërë thirrje për miratimin e një ligji të ri kundër trazirave.
Ndërkohë, Mélenchoni, kandidati presidencial i LFI-së, ka fajësuar policinë për “abuzime me pushtetin”, duke u bërë thirrje njerëzve të dalin në rrugë për të “mbrojtur protestat e të rinjve”.
Kryetari i bashkisë së majtë të Marsejës, Benoît Payan, dënoi “dhunën e papranueshme” në qytetin e tij. Ndërsa të rinjtë ishin “me të drejtë të shqetësuar” për të ardhmen e tyre dhe shërbimet publike, ata duhet të shprehen në mënyrë të qetë, tha ai./Përshtati nga BBC, ekofin.al
