Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar për shqyrtim një projektligj që parashikon disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, një nga aktet kyçe të kuadrit ligjor që rregullon integritetin e sistemit financiar në vend.
Nisma synon të përmirësojë mekanizmat ekzistues për parandalimin, zbulimin dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta, duke e përafruar më tej sistemin shqiptar me standardet ndërkombëtare në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Sipas relacionit shpjegues, objektivi kryesor i projektligjit është mbrojtja e sistemit financiar dhe ekonomisë nga kërcënimet e krimit financiar, duke forcuar integritetin e sistemit parandalues dhe duke rritur aftësinë e institucioneve për të identifikuar dhe goditur flukset financiare të paligjshme.
Në këtë kuadër, projektligji synon të zvogëlojë rreziqet e pastrimit të parave përmes përmirësimit të politikave të koordinimit ndërinstitucional, forcimit të mekanizmave të monitorimit dhe rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar. Një tjetër objektiv është parandalimi i hyrjes së produkteve të veprave penale në sistemin financiar, si dhe zbulimi dhe raportimi më efektiv i fondeve që mund të përdoren për financimin e terrorizmit.
Ndryshimet e propozuara adresojnë gjithashtu një sërë rekomandimesh të Financial Action Task Force (FATF), organizata ndërkombëtare që përcakton standardet globale në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Konkretisht, projektligji synon të reflektojë më mirë rekomandimet që lidhen me vlerësimin e rreziqeve, vigjilencën e duhur ndaj klientit, monitorimin e organizatave jofitimprurëse dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve.
Një nga elementët kryesorë të projektligjit është theksimi i qasjes së bazuar në rrezik, duke orientuar institucionet dhe subjektet raportuese që të aplikojnë masa të diferencuara kontrolli në varësi të nivelit të rrezikut të identifikuar. Kjo qasje synon të shmangë formalizmin në zbatimin e ligjit dhe të rrisë efektivitetin e mbikëqyrjes.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me forcimin e detyrimeve për njohjen e klientit (KYC) dhe administrimin e të dhënave në marrëdhëniet financiare dhe tregtare, me qëllim rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë së transaksioneve.
Projektligji trajton edhe çështjen e organizatatave jofitimprurëse, duke synuar të parandalojë përdorimin e tyre për financime të paligjshme, ndërkohë që ruan rolin e tyre social dhe komunitar.
Sipas relacionit, ndryshimet e propozuara pritet të kenë disa efekte pozitive për sistemin financiar dhe për reputacionin ndërkombëtar të vendit. Ato synojnë të ulin rreziqet që sektorët financiarë apo jofitimprurës të përdoren për qëllime kriminale, të rrisin transparencën dhe të forcojnë aftësinë e autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar me homologët ndërkombëtarë.
Në një kontekst më të gjerë, përmirësimi i kuadrit ligjor në këtë fushë konsiderohet gjithashtu një element i rëndësishëm për ruajtjen e besueshmërisë së Shqipërisë në sistemin financiar ndërkombëtar dhe për shmangien e rreziqeve që lidhen me vendosjen e vendit në lista monitorimi ndërkombëtar për pastrimin e parave. /ekofin.al
