Institucionet financiare jobanka do t’i nënshtrohen disa rregullave të ndryshuara që lidhen me aspekte financiare dhe ligjore.
Ndryshimet në rregulloren “Për licencimin, ushtrimin e veprimtarisë, revokimin e licencës dhe likuidimin e portofolit të kredive të krijuar nga ushtrimi i veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” sjellin një qasje më të rreptë mbikëqyrëse.
Rregullorja ekzistuese, e miratuar fillimisht në vitin 2013, përcaktonte kushtet për licencim, ushtrimin e aktivitetit dhe kërkesat minimale të kapitalit, si dhe kriteret për drejtuesit, të cilët duhej të kishin arsim të lartë, përvojë profesionale dhe reputacion të mirë, pa përfshirje në procese penale apo falimentime. Megjithatë, këto kritere ishin të formuluara në mënyrë më të përgjithshme dhe mbështeteshin kryesisht në vetëdeklarime dhe dokumentacion standard.
Ndryshimet e miratuara në prill 2026 e konkretizojnë dhe e forcojnë ndjeshëm këtë kuadër. Më konkretisht, përfshirja e konceptit të “pronarit përfitues”, e zgjeron kontrollin përtej aksionarëve formalë; tek individët që zotërojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kapitalin. Për këtë kategori kërkohet identifikim i plotë, përfshirë rastet me pjesëmarrje mbi 5%, si dhe deklarim i strukturës së kapitalit dhe lidhjeve të mundshme përmes aksioneve të mbajtësit apo aksionarëve përfaqësues.
Në të njëjtën kohë, rregullorja e re e bën më të prekshëm kriterin e “reputacionit të mirë”, që do të thotë se aksionarët, pronarët përfitues, administratorët dhe anëtarët e organeve drejtuese duhet të mos jenë të akuzuar apo të dënuar penalisht, të mos kenë detyrime tatimore apo pasurore të pashlyera, të mos jenë në procedura ekzekutimi dhe të mos figurojnë në listat e sanksioneve ndërkombëtare të OKB-së dhe Bashkimit Evropian.
Rregullorja gjithashtu kërkon raport nga regjistri i kredive për aksionarët, pronarët përfitues dhe drejtuesit, si pjesë e dokumentacionit të licencimit dhe miratimit paraprak. Ky dokument duhet të jetë i përditësuar dhe i lëshuar jo më herët se tre muaj nga aplikimi.
Ndryshimet prekin drejtpërdrejt edhe procedurat e licencimit. Lista e dokumentacionit zgjerohet me kërkesa të reja për strukturën e kapitalit, pjesëmarrjet e tërthorta, vërtetime për detyrimet fiskale dhe pasurore, si dhe deklarime të detajuara për lidhje personale apo biznesi me persona të dënuar. Në rastet e aplikimeve nga shtetas të huaj për pozicione drejtuese, procesi ndahet në dy faza: fillimisht një moskundërshtim nga Banka e Shqipërisë dhe më pas miratimi përfundimtar, çka shton kontrollin mbi emërimet.
Sipas dispozitës ligjore, kapitali minimal për aktivitetin e këmbimit valutor rritet nga 1.5 milionë lekë në 5 milionë lekë. Gjithashtu, përcaktohet se subjektet që kryejnë vetëm këtë aktivitet duhet të licencohen si zyra të posaçme këmbimi valutor, duke diferencuar më qartë kategoritë e operatorëve në treg.
Paralelisht, forcohen mekanizmat kundër pastrimit të parave. Rregullorja përditëson referencat institucionale duke përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe i jep Bankës së Shqipërisë kompetenca më të zgjeruara për të verifikuar informacionin, përfshirë kontrollin ndaj listave të sanksioneve ndërkombëtare dhe pezullimin e procedurave të licencimit në rast dyshimesh për burimin e kapitalit apo lidhje me aktivitete të paligjshme.
Në të njëjtën linjë, forcohen edhe kushtet për pezullimin dhe revokimin e licencës. Ajo mund të hiqet jo vetëm kur subjekti nuk plotëson më kushtet e licencimit, por edhe kur ka të dhëna të besueshme për përfshirje në pastrim parash apo financim të terrorizmit, apo kur licenca është marrë mbi bazën e informacionit të pasaktë për aksionarët, pronarët përfitues apo administratorët. /ekofin.al
