Fondi sovran i pasurisë i Norvegjisë, më i madhi në botë, me aktive me vlerë rreth 2.1 trilionë euro, raportoi të enjten një humbje nga investimet prej 278 miliardë koronash (26.4 miliardë euro), si pasojë e ndikimit të normave më të larta të interesit.
Norges Bank Investment Management (NBIM), institucioni që administron fondin, raportoi një kthim negativ prej 3.5% nga investimet në instrumente me të ardhura fikse, të cilat përbëjnë pak më shumë se një të katërtën e portofolit të tij. Rreth 70% e këtyre investimeve janë të vendosura në obligacione qeveritare.
Tremujori i tretë u karakterizua nga një valë shitjesh në tregun global të obligacioneve, ndërsa rendimentet e obligacioneve qeveritare u rritën në nivele që nuk ishin parë që prej krizës financiare. Kjo ndodhi mes shqetësimeve në rritje për shtimin e borxhit publik në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Këto zhvillime u shoqëruan me rritjen e normave bazë të interesit nga bankat qendrore, përfshirë Rezervën Federale të SHBA-së dhe Bankën Qendrore Evropiane, në kushtet kur inflacioni u rrit në Shtetet e Bashkuara dhe në eurozonë.
“Kthimi i fondit ishte pothuajse zero, duke përfunduar lehtësisht në territor negativ, pasi rritja e normave të interesit çoi në rezultate më të dobëta për investimet tona në instrumente me të ardhura fikse”, deklaroi zëvendësdrejtori ekzekutiv i fondit, Trond Grande.
Rritja e normave të interesit në treg zakonisht ul çmimin e obligacioneve ekzistuese, pasi obligacionet e reja emetohen me norma interesi më tërheqëse për investitorët.
Kthimi i përgjithshëm nga investimet e fondit ishte −0.5%, ndërsa investimet në aksione të kompanive shënuan një fitim prej 0.5%, me diferenca të mëdha mes sektorëve të ndryshëm.
“Kompanitë e energjisë shënuan rritjen më të madhe, ndërsa sektorët e ndjeshëm ndaj normave të interesit, si shërbimet utilitare dhe pasuritë e paluajtshme, pësuan rënie”, tha Grande.
Në fund të shtatorit, vlera e fondit arriti në 22 014 miliardë korona (2.09 trilionë euro), ku 72.1% ishte investuar në aksione dhe 25.8% në obligacione. Pjesa tjetër ishte e investuar në pasuri të paluajtshme të palistuara në bursë dhe në infrastrukturën e energjisë së rinovueshme.
Investimet në pasuri të paluajtshme sollën një kthim prej 0.4%, ndërsa investimet në infrastrukturën e energjisë së rinovueshme, të palistuara në bursë, gjeneruan një kthim prej 7.5%.
Duke përfshirë edhe lëvizjet e kursit të këmbimit dhe fondet e reja të shtuara, vlera totale e fondit ra me 670 miliardë korona (63.6 miliardë euro) gjatë tremujorit. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
