Pas dy vitesh aktiviteti të ngadaltë, motori ekonomik i Evropës pritet të rifitojë vrull. Sipas raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) “World Economic Outlook”, prodhimi i kombinuar i rajonit pritet të arrijë në 31.4 trilionë dollarë (27 trilionë euro) në vitin 2026, me përfitimet më të mëdha të përqendruara në Evropën Perëndimore.
Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2026, Shqipëria do të renditet në vendin e 35-të në Evropë, me një Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB) prej 32 miliardë dollarësh amerikanë, që korrespondojnë me rreth 28 miliardë euro. Në raportin e fundit të “World Economic Outlook”, vendi paraqitet si një ekonomi në rritje të qëndrueshme, por ende në shkallë të mesme në krahasim me fqinjët ballkanikë.
Ballkani në shifrat e FMN-së
Në rajon, Sllovenia udhëheq bindshëm me një PBB prej 86 miliardë dollarësh, duke u pozicionuar si ekonomia më e madhe e Ballkanit dhe një nga më të zhvilluarat në Evropën Qendrore.
Pas saj renditen Bosnja dhe Hercegovina me 36 miliardë dollarë, ndërsa Shqipëria, me 32 miliardë, qëndron në një nivel të afërt me Bosnjën, por përpara disa fqinjëve të tjerë të rajonit.
Në pjesën e poshtme të renditjes, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia parashikohen të kenë nga 21 miliardë dollarë, ndërsa Mali i Zi mbetet më i vogli ndër ekonomitë e Ballkanit me rreth 10 miliardë dollarë.
Krahasuar me këto vende, Shqipëria ka një avantazh ekonomik të ndjeshëm, duke ruajtur një pozicion stabël në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjermania udhëheq ekonomitë më të mëdha të Evropës
Gjermania pritet të rifitojë vrullin, duke shtuar gati 400 miliardë dollarë në ekonomi mes viteve 2024–2026. Me 5.3 trilionë dollarë, ajo do të përfaqësojë rreth 17% të gjithë PBB-së evropiane.
Menjëherë pas saj renditen Mbretëria e Bashkuar me 4.2 trilionë dollarë dhe Franca me 3.6 trilionë dollarë. Së bashku, këto tre vende do të gjenerojnë mbi 40% të aktivitetit ekonomik të Evropës, duke theksuar dominimin e tregjeve të mëdha në panoramën rajonale.
Evropa Jugore dhe Lindore ndjekin rrugë të ndryshme
Kontinenti ndahet në dy gjysma ekonomike: veriperëndimin dhe juglindjen.
Italia dhe Spanja, dy ekonomitë kryesore të jugut, pritet të kenë rritje modeste, duke arritur përkatësisht 2.7 trilionë dhe 1.8 trilionë dollarë në vitin 2026.
Në Evropën Lindore, Rusia parashikohet të arrijë 2.5 trilionë dollarë, e mbështetur nga eksportet e energjisë, ndërsa Polonia hyn në dhjetëshen e parë të kontinentit me 1.1 trilionë dollarë.
Megjithëse dekada e fundit ka sjellë rritje të fuqishme të PBB-së reale për frymë në lindje, hendeku i të ardhurave me perëndimin mbetet ende i konsiderueshëm.
Perspektiva ekonomike e Evropës për vitin 2026
FMN-ja sjell lajme të mira dhe të këqija për Evropën. Lajmi i mirë është se tronditjet e pandemisë dhe krizës energjetike janë kaluar, dhe kontinenti është zyrtarisht në fazë rimëkëmbjeje falë “politikave të mira ekonomike”. Kjo ka çuar në rritje të pagave reale, veçanërisht në Gjermani, duke nxitur konsumin.
Lajmi i keq është se lufta tregtare e Donald Trump ka krijuar pasiguri dhe do të ulë rritjen me rreth 0.5%, megjithëse pjesërisht do të kompensohet nga rritja e investimeve në infrastrukturë dhe mbrojtje. Megjithatë, kjo rritje e shpenzimeve publike vjen me koston e rritjes së borxhit./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al


