Shtetet e Bashkuara janë duke shënuar rritjen më të madhe të borxhit ndër ekonomitë kryesore, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke kaluar për herë të parë këtë shekull nivelet e Italisë dhe Greqisë.
Borxhi publik global po rritet më shpejt se në çdo periudhë tjetër të historisë moderne, dhe këtë herë nuk janë vetëm shpenzuesit tradicionalisht të mëdhenj që po e nxisin atë.
Raporti më i fundit Fiscal Monitor i FMN-së paralajmëron se financat publike të fuqive të mëdha, me në krye Shtetet e Bashkuara, janë kthyer në një rrezik sistemik global.
“Megjithëse numri i vendeve me borxh mbi 100% të PBB-së do të ulet gradualisht në pesë vitet e ardhshme, pjesa e tyre në PBB-në botërore pritet të rritet,” thuhet në raport.
Kjo do të thotë se “borxhi publik global pritet të ngjitet mbi 100% të PBB-së botërore deri në vitin 2029”, duke arritur nivelin më të lartë që nga viti 1948.
Sipas llogaritjeve të FMN-së, kjo prirje “reflekton një rrugë më të lartë dhe më të pjerrët sesa parashikohej para pandemisë”, duke treguar se qeveritë nuk kanë arritur të stabilizojnë borxhin pavarësisht rimëkëmbjes së rritjes globale.
SHBA shënon rritjen më të fortë
Sipas FMN-së, Shtetet e Bashkuara do të kenë rritjen më të madhe të raportit borxh-PBB ndër ekonomitë e përparuara. Nga viti 2023 deri në 2030, borxhi i përgjithshëm publik pritet të ngjitet nga 119.8% e PBB-së në 2023 në 143.4% në 2030.
Institucioni thekson se për herë të parë këtë shekull, SHBA do të kalojë Italinë dhe Greqinë — shtetet që prej kohësh shihen si më të varurat nga borxhi në botën e zhvilluar.
Borxhi i Italisë mbetet ndër më të lartët, rreth 137% të PBB-së, dhe FMN pret që ky nivel të mbetet i pandryshuar në 2030. Greqia, që aktualisht ka 146.7%, pritet të bjerë në 130.2%.
Për krahasim, Franca është në 116.5%, Spanja në 100.4%, Gjermania në 64.4%, ndërsa Holanda, Suedia dhe Danimarka ruajnë raporte nën 60%.
Rezultati është një kontinent i ndarë mes disiplinës fiskale veriore dhe lodhjes jugore.
Në rastin e SHBA-së, trendi është qartësisht në rritje, çka FMN-ja ia atribuon deficiteve të vazhdueshme dhe kostove të larta të interesit.
Profili i borxhit të Uashingtonit, paralajmëron institucioni, tashmë është i ngjashëm me atë të ekonomive më të varura të Evropës, duke theksuar nevojën për reformë fiskale.
Një krizë që ka prekur G20-ën
Ekonomitë e tjera të mëdha si Kanada, Kina, Franca, Italia, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar përballen gjithashtu me rrezikun e një raporti borxh-PBB mbi 100%.
Me fjalë të tjera, kriza e qëndrueshmërisë së borxhit nuk është më tipar i botës në zhvillim, por i vetë vendeve të G20-ës, që janë themeli i sistemit financiar ndërkombëtar.
Pas viteve të normave pothuajse zero të interesit, qeveritë u mësuan të huazonin lirë, por FMN paralajmëron se ajo epokë ka marrë fund.
Bota ka hyrë në një fazë borxhi të shtrenjtë, teksa normat më të larta e bëjnë më të kushtueshme shërbimin e borxhit dhe kufizojnë shpenzimet për prioritetet bazë.
Në disa ekonomi të përparuara, kostot e shërbimit të borxhit tashmë tejkalojnë buxhetet e mbrojtjes.
Çdo rritje me një pikë përqindjeje e kostos mesatare të financimit përkthehet në dhjetëra miliarda euro që zhvendosen nga programet sociale në pagesa interesi.
Madje edhe Gjermania, dikur simbol i kujdesit fiskal, po ndryshon kurs: Berlini ka ndryshuar “frenën e borxhit” të përfshirë në kushtetutë për të lejuar më shumë huamarrje për infrastrukturë dhe mbrojtje.
Popullsitë që plaken ushtrojnë presion mbi financat publike
Pas këtyre shifrave fshihet një sfidë demografike që FMN e përshkruan si problemin e radhës strukturor për financat publike.
Plakja e popullsisë në vendet e zhvilluara po shton ndjeshëm kostot e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor, duke rritur presionin mbi buxhetet publike.
Në SHBA, raporti i varësisë së të moshuarve pritet të arrijë rreth 40% deri në 2050, ndërsa në Bashkimin Evropian do të kalojë 55%.
Me më pak punëtorë që mbështesin më shumë pensionistë, raportet e borxhit rrezikojnë të rriten më tej ndërsa qeveritë huazojnë për të ruajtur stabilitetin social.
Ky kombinim: borxh në rritje, plakje dhe kosto më të larta huamarrjeje nuk është më një shqetësim lokal.
Sipas FMN-së, ai përbën rrezik sistemik global që mund të amplifikojë dobësitë në tregjet financiare. Humbja e besimit të investitorëve në një ekonomi të madhe mund të përhapet në tregjet e obligacioneve, valutave dhe bankave në mbarë botën.
FMN-ja u bën thirrje qeverive të zbatojnë kuadro fiskale afatmesme të besueshme për të stabilizuar borxhin dhe rindërtuar rezervat financiare.
Por kjo disiplinë është gjithnjë e më shumë politikisht e papranueshme, teksa populistët në Evropë dhe Amerikën e Veriut, si të majtë ashtu edhe të djathtë premtojnë taksa më të ulëta, pensione më të larta dhe më shumë shpenzime publike.
Raporti i FMN-së thekson se epoka e huamarrjes pa kufi ka përfunduar, dhe se ekonomitë nuk mund të vazhdojnë të jetojnë në kurriz të thesarit publik si më parë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
