Pengesat që vazhdojnë të ndajnë Ballkanin Perëndimor nga tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian kanë një kosto të matshme: vetëm barrierat jotarifore të identifikuara nga një studim i FMN-së ekuivalentohen me rreth 8–14% të vlerës së tregtisë së mallrave.
Heqja ose reduktimi i tyre mund të rrisë eksportet e mallrave të rajonit drejt BE-së me 15–40% në afatin e mesëm dhe 40–70% në afatin e gjatë. Për Shqipërinë, ku rreth 70% e eksporteve të mallrave tashmë drejtohen nga BE-ja, ndryshimet në këto kosto kanë rëndësi të drejtpërdrejtë.
Në vlerësimin prej 8–14% përfshihen kostot nga vlerësimi i konformitetit, rregullat e origjinës, procedurat doganore, pritjet në kufi, kufizimet për shoferët që lidhen me sistemin Entry/Exit System dhe pengesat në tregun e transportit rrugor. FMN thekson se kjo duhet parë si një vlerë minimale dhe jo si kostoja e plotë, sepse nuk përfshin në të njëjtën mënyrë barrierat e agro-ushqimit dhe shërbimeve.
Në afatmesëm, një reduktim i këtyre barrierave mund t’i shtojë eksporteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së 5–14 miliardë euro në vit, mbi një bazë aktuale prej rreth 35 miliardë eurosh. Kjo do të ishte e barabartë me rreth 3–8% të PBB-së së rajonit. Në afatin e gjatë, potenciali llogaritet në 14–25 miliardë euro eksporte shtesë në vit, ose rreth 8–14% të PBB-së rajonale me çmimet aktuale.
Një pjesë e kostos vjen vetëm nga pritjet në kufij. Vlerësimi i Komisionit Evropian i përdorur në studim tregon se kamionët humbisnin rreth 28 milionë orë në vit në kufijtë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, me një kosto direkte prej rreth 1% të PBB-së së rajonit, afërsisht 1 miliard euro në vit. Raporti citon gjithashtu të dhëna të industrisë që sugjerojnë se vonesat janë përkeqësuar më tej pas vitit 2021.
Problemi nuk është vetëm koha e humbur. Pasiguria mbi kohën e kalimit të kufirit vështirëson prodhimin “just-in-time”, ul interesin për investime të orientuara drejt eksporteve dhe pengon përfshirjen e firmave të rajonit në zinxhirët Evropianë të prodhimit. FMN vlerëson se ulja e pritjeve në kufi, zgjidhja e kufizimeve të lidhura me EES dhe integrimi doganor janë ndër masat që kombinojnë ndikim ekonomik relativisht të lartë me kompleksitet më të ulët zbatimi.
Efekti për ekonominë do të shkonte më tej se eksportet. FMN llogarit se integrimi më i thellë në mallrat industriale dhe logjistikë mund ta rrisë PBB-në për frymë të Ballkanit Perëndimor me rreth 7–12% në afatin e gjatë. Kur shtohen përfitimet e mundshme nga agro-ushqimi dhe shërbimet, intervali zgjerohet në 8–15%.
Ky efekt do të përfaqësonte rreth një të katërtën deri në gjysmën e përfitimeve ekonomike që FMN lidh me anëtarësimin e plotë në BE, të vlerësuara në rreth 30–35% të PBB-së për frymë në kushtet e politikave të përshtatshme. Pjesa tjetër e përfitimit lidhet me konvergjencën institucionale, lëvizjen e fuqisë punëtore, transfertat e BE-së dhe pjesëmarrjen e plotë në tregun e përbashkët. /ekofin.al
