Presidenti Trump foli me Vladimir Putinin në telefon për rreth 40 minuta teksa ishte në takim me Zelensky-n dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, ka konfirmuar shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Trump përmes rrjeteve sociale, thotë se “në përfundim të takimeve, unë telefonova Presidentin Putin dhe nisa përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet, mes Presidentit Putin dhe Presidentit Zelensky”, shkroi ai.
“Pas këtij takimi do të kemi një takim tresh, që do të jetë mes dy presidentëve, plus meje”.
Trump gjithashtu tha se gjatë bisedimeve të sotme u diskutuan garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat sipas tij “do të ofrohen nga vende të ndryshme evropiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Disa media ndërkombëtare më herët kishin raportuar se telefonata ishte kryer, duke cituar burime të paemëruara pranë bisedimeve.
Nuk pritej që Trump të fliste me Putinin deri sa të përfundonin takimet me Zelensky-n dhe liderët evropianë.
Përpara takimit shumëpalësh, Presidenti Donald Trump u kap nag një mikrofon i lënë hapur duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të arrijë një zgjidhje për luftën, dhe këtë do e bëjë pikërisht për Trumpin.
“Mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje,” i pëshpëriti Trump presidentit francez Emmanuel Macron në Dhomën Lindore. “Mendoj se ai [Putin] dëshiron të bëjë një marrëveshje për mua, e kupton këtë? Sa e çmendur tingëllon.”
Trump dëgjohet gjithashtu duke folur për organizimin e një takimi trepalësh midis Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilin Trump ka thënë publikisht se beson se do të ndodhë.
