Google i shpëtoi vendimit më të keq të mundshëm në çështjen e tij historike antitrust të martën: një gjykatës e lejoi të mbajë nën kontroll Chrome dhe Android dhe të vazhdojë të paguajë kompanitë e teknologjisë për të promovuar motorin e tij të kërkimit. Ky lajm i mirë për Google është gjithashtu një lajm i mirë për Apple.
Gjykatësi Amit Mehta vendosi të martën se Google nuk mund të hyjë në marrëveshje ekskluzive me kompani, por do t’i lejohet të vazhdojë të paguajë partnerët për të shpërndarë shërbimet e tij. Kjo do të thotë se mund të vazhdojë t’i paguajë Apple miliarda dollarë – shuma që vetëm në vitin 2022 u vlerësuan në 20 miliardë – për t’u siguruar si opsioni parazgjedhur i motorit të kërkimit në shfletuesin e iPhone.
Si rezultat, Apple mund të vazhdojë të arkëtojë miliarda dollarë nga Google, duke shmangur një sfidë të rëndë që do të prekte produktet më të rëndësishme të saj, nga iPhone te Mac dhe iPad. Kjo i kurseu Apple një pyetje të vështirë: Cili motor kërkimi do të vinte i instaluar paraprakisht në miliarda pajisje Apple në mbarë botën?
Sfida për të gjetur një ofrues të ri kërkimi parazgjedhur do të vinte në një kohë aspak ideale për Apple, e cila tashmë po përballet me ndryshime në App Store për shkak të rregulloreve të BE-së dhe ka hasur vështirësi për të mbajtur ritmin në fushën e inteligjencës artificiale – një fushë që në disa drejtime kërcënon të zëvendësojë motorët e kërkimit.
“Kjo ishte një re e zezë mbi aksionet e Apple, pasi investitorët shqetësoheshin se një shpërbërje e Google Chrome dhe/ose shuarja e marrëveshjes së kërkimit me Apple mund të ishte në tryezë,” tha analisti i Wedbush Securities, Dan Ives, në një shënim kërkimor pas vendimit.
Aksionet e Apple (AAPL) u rritën mbi 3% të mërkurën, ndërsa ato të Google u rritën me gati 9%.
Apple nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi vendimin.
Google mbetet motori i kërkimit më i përdorur në botë, duke zënë rreth 90% të përdorimit global të motorëve të kërkimit deri në gusht, sipas kompanisë së analizës së trafikut online Statcounter Global Stats. Bing është shumë pas me vetëm pak nën 4% të tregut. Nëse Apple nuk do të lejohej më të bashkëpunonte me Google, me gjasë do t’i duhej të zgjidhte një opsion më pak popullor ose të zhvillonte motorin e vet të kërkimit.
Eddy Cue, nënkryetar i lartë i shërbimeve në Apple, tha në një depozitë gjyqësore vitin e kaluar se kompania nuk ka gjasa të zhvillojë motorin e vet të kërkimit sepse është e fokusuar në fusha të tjera rritjeje. Ai gjithashtu shtoi se do të ishte “ekonomikisht e rrezikshme” të devijoheshin burime drejt krijimit të një motori kërkimi, pasi fusha po ndryshon me shpejtësi për shkak të AI-së. Pyetja kryesore e ngritur nga çështja e Departamentit të Drejtësisë ishte nëse Google është kaq i popullarizuar sepse është më i miri, apo sepse zë vendin e parazgjedhur në pajisjet mobile dhe shfletuesit, duke u mbështetur tek zakonet e konsumatorëve më shumë sesa tek zgjedhja e tyre.
Apple ka lënë të kuptohet se është opsioni i dytë.
“Sigurisht që nuk kishte një alternativë të vlefshme ndaj Google në atë kohë,” tha Cue në dëshminë e tij në gjyqin e vitit 2023 sipas The Verge.
Kjo nuk do të thotë se Apple nuk do të duhet të rishqyrtojë qasjen e saj ndaj kërkimit. Edhe pse chatbot-ët si ChatGPT nuk po zëvendësojnë motorët e kërkimit, pritet që ata të hanë një pjesë të tregut. Firma e kërkimeve të tregut Gartner vlerësoi vitin e kaluar se volumi i kërkimeve do të bjerë me 25% deri në vitin 2026, ndërsa konsumatorët do të anojnë drejt mjeteve të AI-së.
Sipas Bloomberg, Cue tha në gjykatë se kërkimet në Google nga pajisjet Apple ranë për herë të parë në prill, megjithëse Google më parë deklaroi se vazhdon “të shohë rritje të përgjithshme të kërkimeve” dhe se kjo përfshin “rritjen e numrit të kërkimeve që vijnë nga pajisjet dhe platformat e Apple”. Ky fakt nuk do të thotë domosdoshmërisht se njerëzit po përdorin aplikacione të AI-së në vend të kërkimit, por mund të nënkuptojë se ata po përdorin aplikacionin e Google në vend të Safari-t.
Edhe pse Google mbetet i popullarizuar, rritja e mjeteve të AI-së e ka shtyrë kompaninë të rishikojë qasjen e saj ndaj kërkimit. Google këtë vit e ka zgjeruar “AI Mode” për të gjithë përdoruesit e aplikacionit Google në SHBA, ndoshta një tjetër tregues se AI po e ndryshon mënyrën se si njerëzit kërkojnë informacion online, përtej chatbot-ëve si ChatGPT dhe Gemini i Google.
Me shumë gjasa Apple do të duhet ta përqafojë këtë ndryshim për të mbetur relevante, dhe raportet tregojnë se tashmë po e konsideron një gjë të tillë. Bloomberg raportoi se kompania ka shqyrtuar mundësinë e blerjes së startup-it të kërkimit me AI, Perplexity. Cue tha në dëshminë e tij se shërbimet e AI nga OpenAI, Perplexity dhe Anthropic mund të zëvendësojnë kërkimin tradicional në të ardhmen dhe se Apple mund t’i sjellë këto opsione në Safari.
Por falë vendimit të së martës, Apple mund ta përcaktojë vetë kohën kur do të bëjë këtë hap./Përshtati nga CNN, ekofin.al
