Miliona euro u janë zhvatur italianëve nga një “Call Center” i ngritur në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë.
SPAK dhe prokuroria e Pordenones, Italia kanë vijuar operacionin e ndërmarrë në tetor të 2022 duke identifikuar dhe arrestuar këtë herë drejtuesit dhe përgjegjësit e call centerit përmes të cilit u janë zhvatur 4.7 milionë euro italianëve.
Operacioni u kodua “Dream earnings’ (në shqip: Fitimet e ëndrrave) dhe hetimet nisën pas denoncimit të një shtetasi italian në Pordenone.
“Eshtë rezultat i veprimeve të zhvilluara hetimore pas kontrolleve, sekuestrimeve të pajisjeve elektronike që u kryen në datën 25 tetor të vitit të kaluar pranë një call centeri në rrugën “Dritan Hoxha” pranë kompleksit Karavan, kati i dytë. janë administruar 140 kallëzime të personave të dëmtuar në Itali dhe shuma e parave të personave të dëmtuar shkon 4.7 milionë euro” deklaroi prokurori i SPAK, Eneid Nakuçi sot në një konferencë për median së bashku me autoritetet italiane pjesë e hetimit.
Si funksiononte skema
Viktimat kontaktoheshin përmes telefonit. Bindeshin të investonin në shifra të vogla me pretendimin se nuk do të humbisnin gjë dhe më pas i stimulonin të investonin në shuma të mëdha që të pasuroheshin. Viktimat shikonin si trefishohej investimi i tyre në pak ditë në platforma të falsifikuara e konfiguara enkas për ta duke ia bërë më të besueshme fitimin. Më pas paratë e tyre në pjesën më të madhe shkonin në kriptovalutë dhe në llogari të huaja të pagjurmueshme.
Mësohet se prokuroria e Pordenones ka lëshuar 14 masa sigurie, ka denoncuar 61 persona si dhe janë urdhëruar 14 kontrolle në Shqipëri. Urdhërarrestet janë lëshuar dje. Banda përbëhet nga shtetas shqiptarë.
Janë administruar 140 kallëzime nga shtetas italianë ndërsa vlera e përfitimit përmes mashtrimit kap shifrën 4.7 milionë euro.
Gjatë 42,000 përgjimeve të kryera nga hetuesit italianë, rezultoi se paratë pastroheshin në vendet e BE-së, përfshirë Qipron, Lituaninë, Estoninë, Holandën, Gjermaninë dhe ishin konvertuar në kriptovaluta, shkruan ANSA.
