Qeveria ka parashikuar në Programin e Buxhetit Afatmesëm 2026-2028, financimin për herë të parë të procedurës së transplantit të kornesë së syrit, një shërbim ky që do të përmirësojë jetesën duke kthyer shikimin tek pacientët me shikim të dëmtuar. Sipas dokumentit, janë parashikuar fillimisht 50 raste me një financim vjetor 25 milionë lekë.
Ekofin.al bisedoi me Dr. Ermal Simaku, i cili ushtron profesionin si mjek okulist kirurg prej më shumë se 10 vitesh në Shërbimin e Okulistikës në QSUT “Nënë Tereza”, duke kryer çdo vit gati 2 mijë ndërhyrje kirurgjikale të tipeve dhe sëmundjeve të ndryshme.
Për doktor Simakun, kjo është një procedurë e munguar dhe shumë e domosdoshme për një numër të konsiderueshëm pacientësh, të cilët për arsye të sëmundjeve të ndryshme okulare, kanë humbur shikimin si pasojë e dëmtimit të kornesë, e quajtur ndryshe dhe si xhami i syrit.
Për herë të parë qeveria e ka parashikuar financimin e transplantit të kornesë pas kërkesave dhe nevojave që Shërbimi ka aktualisht. Kjo është një nismë shumë e mirë nga Ministria e Shëndetësisë, pasi do të gjejnë zgjidhje pacientë të cilët e kanë të pamundur ta kryejnë këtë ndërhyrje në klinikat e specializuara jashtë vendit, për shkak të kostos së madhe që ka si procedurë.
Numri 50 ndërhyrje në vit, i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2026-2028 është një numër i kërkuar nga Shërbimi i Okulistikës, duke marrë parasysh numrin e kërkesave dhe pacientët që paraqiten në QSUT, të cilët kanë nevojë për këtë ndërhyrje.
Për sa i përket kostos, duhet të ngrihet një grup pune në momentin e hartimit të plotë të buxhetit për të përllogaritur procedurën e transplantit, duke përfshirë këtu edhe materialet dhe instrumentet e domosdoshme për kryerjen e kësaj procedure kirurgjikale komplekse.
Çfarë rëndësie ka kryerja e transplantit korneal?
Transplanti i kornesë apo xhamit të syrit është një procedurë që përfshin zëvendësimin e një pjese apo të gjithë kornesë së dëmtuar të pacientit me një korne të shëndetshme të marrë nga banka e transplantit.
Ajo është një ndërhyrje që kryhet pothuajse në të gjitha vendet e zhvilluara si rutinë në qendrat spitalore, sidomos ato universitare, gjë që tregon edhe për nivelin e lartë të jetesës, duke rritur ndjeshëm cilësinë e jetës për pacientët që kanë nevojë.
Ndërhyrja sjell qetësimin e dhimbjes okulare të pacienti, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së tij; përmirësimin e pamjes estetike pas transplantit, si dhe pacienti fiton aftësinë për të punuar duke ulur kështu barrën ekonomike të shërbimit social nga buxheti i shtetit, shpjegon mjeku kirurg.
Koha e rikuperimit pas transplantit
Doktor Simaku shpjegon se koha e rikuperimit pas ndërhyrjes është e ndryshme për këdo nga pacientët. Gjithashtu koha e rikuperimit varet edhe nga lloji i transplantit që kryhet, pasi siç përmendëm më lart, janë disa procedura të ndryshme që mund të kryhen sipas nevojës së pacientit. Në transplantet totale të kornesë (keratoplastia penetruese) periudha e rikuperimit është me e gjatë dhe mund të duhen disa javë, ndërsa për transplantet e pjessshme (DALK, DSAEK, DMEK) koha e rikuperimit është më e shpejtë.
Megjithatë, shprehet ai, transplanti korneal konsiderohet si transplanti i organit më i suksseshëm në trupin e njeriut. Rastet e flakjes së transplantit variojnë në përqindje të ndryshme në llojin e procedurës së përdorur në ndjekjen 2-vjeçare post operatore. Në rastet e keroplastikës penetruese shkon në 17%, në rastet DMEK – 0.7% dhe në ato DSAEK -9%.
Këshilla për të parandaluar sëmundjet madhore të syve
Doktor Simaku shpjegon se është i rëndësishëm kontrolli periodik i syve, me një konsultë rutinë, sidomos në pacientët mbi 50 vjeç me sëmundje sistematike si Diabet Mellitus, hypertension arterial, probleme reumatizmale apo histori familjare për sëmundje okulare. Shumica e problemeve okulare sot gjejnë zgjidhje mjekësore nëse evidentohet dhe diagnostifikohen në kohën e duhur.
Duhet thënë që Okulistika është një nga degët e mjekësisë ku teknologjia është implementuar shumë herët dhe vazhdon të avancojë me hapa të jashtëzakonshmë krahasuar me degë të tjera, duke përdorur tashmë edhe inteligjencën artificiale për procedura të ndryshme, përfundon ai. /ekofin.al
