Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka miratuar rregulloren që përcakton procedurat dhe rregullat për mbledhjen e të ardhurave, si një mekanizëm sigurues për financimin dhe funksionimin e tij.
Dokumenti, i cili është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, rregullon burimet e financimit, mënyrën e pagesës, afatet, si dhe detyrimet e subjekteve të audituara dhe audituesve ligjorë për zbatimin e këtyre dispozitave.
Më konkretisht, Bordi do të mbledhë pagesë prej 3 për qind, e caktuar mbi shumën e honorarit të faturuar për çdo auditim të njësive ekonomike me interes publik, të paguara nga shoqëritë audituese/audituesit ligjorë, që kryejnë auditime të njësive ekonomike me interes publik; fonde të tjera në masën jo më shumë se 10% si kontribut i organizatave profesionale subjekt i mbikëqyrjes nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.
Për qëllime të rakordimit të detyrimeve dhe likuidimeve të kryera, brenda datës 20 mars të vitit pasardhës të periudhës së raportimit, struktura mbështetëse i njofton audituesit ligjor ose shoqërisë audituese, nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit, aktin e rakordimit që përmban situatën e përmbledhur të detyrimeve dhe likuidimeve. Sipas rastit, akti i rakordimit do të përmbajë edhe kamatëvonesat e llogaritura.
Vlerat mbi 1 000 (një mijë lekë) e paguara më tepër, do të njihen si tepricë kreditore për periudhën e raportimit pasardhëse.
Mbledhja e të ardhurave nga pagesa prej 3%
Audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese të cilët angazhohen në auditimin e njësive ekonomike me interes publik detyrohen të paguajnë 3 (tre) për qind mbi shumën e honorarit të faturuar për çdo auditim të njësive ekonomike me interes publik.
Audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese do të llogarisin detyrimin në lekë për t’u paguar duke shumëzuar vlerën në lekë të faturës së vetme ose vlerën në lekë të secilës faturë të lëshuar të honorarit të auditimit të NJEIP-it me 3 (tre) për qind.
Ky detyrim paguhet jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga data e raportit të auditimit.
Po kështu rregullorja përcakton mbledhjen e të ardhurave nga arkëtimi i gjobave të vendosura nga organizatat profesionale, të cilat duhet të raportojnë brenda datës 20 janar të çdo viti lidhur me arkëtimin e gjobave të vendosura ndaj anëtarëve të tyre.
Organizata profesionale e audituesve ligjorë dhe organizatat profesionale të kontabilistëve të miratuar kanë detyrimin të paguajnë pranë BMP-së, 20% të vlerës së arkëtuar nga gjobat që organizata profesionale e audituesve ligjorë dhe organizatat e kontabilistëve të miratuar kanë vendosur ndaj anëtarëve të tyre.
Mbledhja e të ardhurave nga provimet e aftësive profesionale
Tarifat për regjistrimin dhe pjesëmarrjen në provimet e aftësimit profesional përcaktohen nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), mbi bazën e një analize ekonomike, me qëllim të mbulojnë kostot e organizimit dhe sigurimit të cilësisë së procesit. Kandidatët që regjistrohen dhe marrin pjesë në provimin përfundimtar paguajnë tarifat përkatëse në llogarinë e BMP-së.
Shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë fituar titullin “auditues ligjor” ose ekuivalentin e tij jashtë vendit dhe duan të kryejnë vetëm testimet në disa fusha ligjore (fiskalitet, shoqëri tregtare, sigurime shoqërore, e drejta e punës dhe civile, si dhe legjislacioni për raportimin e qëndrueshmërisë), paguajnë tarifat për njohjen e provimeve sipas përcaktimeve të BMP-së.
Çdo tepricë financiare e mbetur nga proceset e provimeve përdoret për financimin e veprimtarisë së BMP-së. Për çdo sezon provimesh, BMP miraton buxhetin për realizimin e testimeve mbi bazën e propozimeve të strukturës mbështetëse.
Mbledhja e të ardhurave nga fonde të tjera
Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka të drejtë të mbledhë të ardhura nga burime të ndryshme në funksion të mbikëqyrjes dhe sigurimit të cilësisë së profesionit. Këto të ardhura mund të sigurohen përmes granteve të akorduara, të cilat përdoren sipas vendimeve të vetë Bordit, si edhe nga organizimi i trajnimeve, seminareve dhe publikimeve profesionale.
Një burim i rëndësishëm financimi lidhet me kualifikimin e vijueshëm profesional. Institucionet e arsimit të lartë dhe qendrat e tjera të specializuara që organizojnë kurse për auditues ligjorë dhe kontabilistë të miratuar detyrohen të kontribuojnë me 10 për qind të të ardhurave vjetore të realizuara nga këto kurse. Ndërkohë, shoqëritë audituese që kryejnë kualifikimin për punonjësit e tyre paguajnë një tarifë fikse vjetore prej 50 mijë lekësh.
Përveç këtyre burimeve, BMP siguron të ardhura edhe nga interesat e depozitave bankare, si dhe nga burime të tjera të ligjshme që lidhen me ushtrimin e funksioneve të mbikëqyrjes dhe sigurimit të cilësisë së profesionit.
Afati i kryerjes së pagesës do të jetë brenda datës 31 janar të çdo viti.
Rregullorja përcakton se mosshlyerja e detyrimit brenda afatit do të llogaritet me kamatëvonesë në masën 120 për qind e shkallës së interesit ndërbankar të Bankës së Shqipërisë, e cila shpallet nga kjo e fundit për çdo tremujor, në bazë të shkallës mesatare të një tremujori më parë.
Në çdo rast kamatëvonesat do të llogariten nga data e lindjes së detyrimit për të paguar deri në datën e kryerjes së pagesës, por jo më shumë se 12 muaj. /ekofin.al
