IuteCredit Group (“IuteCredit”), një nga grupet e financave personale me zgjerimin më të shpejtë në Evropë gjatë viteve të fundit, ka njoftuar daljen me ofertë publike të obligacioneve me përparësi shlyerjeje, bazuar në prospektin e miratuar nga Komisioni i Sektorit Financiar të Luksemburgut (CSSF) dhe të publikuar edhe në faqen zyrtare të shoqërisë. Oferta i drejtohet të gjithë personave fizikë dhe juridikë në Estoni, Letoni, Lituani, si edhe Gjermani.
IuteCredit, përmes filialit të zotëruar prej saj IuteCredit Finance S.a.r.l., ofron deri në 500,000 obligacione të reja, me vlerë nominale prej 100 euro, me një vlerë të përgjithshme prej 50 milionë euro, që i shtohet obligacionit të renditur dhe të listuar tashmë prej 75 milionë eurosh. Data e maturimit është 6 tetor 2026 dhe norma e interesit është 11% në vit, i pagueshëm në dy herë në vit.
Vlera prej 50 milionë eurosh do të konsolidohet menjëherë në datën e publikimit, duke formuar një seri të vetme me obligacionin e mëparshëm prej 75 milionë euro, për një total prej 125 milionë eurosh. Shoqëria njofton se objektivi kryesor është rifinancimi i obligacionit 2019/2023. Periudha e regjistrimit të ofertave nis sot dhe vijon deri në datën 31 mars. Shoqëria gjithashtu rekomandon të gjithë investitorët potencialë që përpara ndërmarrjes së investimit, të konsultohen me prospektin, kushtet e obligacioneve, të ofertës dhe nëse do të jetë e nevojshme gjithashtu të flasin me një ekspert.
Listimi i obligacioneve të një shoqërie me ofertë publike, në vlerësimet e ekspertëve financiarë, konsolidon më tej pozitat e saj, duke qënë se përpara daljes me ofertë publike një shoqëri i nënshtrohet një skaneri të plotë të pasqyrave financiare dhe performancës së saj nga institucionet rregullatore dhe financiare ndërkombëtare. Në Shqipëri, publikimi i obligacioneve me ofertë publike nuk është ende i mundur, ndërkohë që shumë kompani, por edhe bankat kanë aplikuar daljen në treg të obligacioneve me ofertë private për të gjeneruar financime të ndryshme për operacionet e tyre. / ekofin.al