Korça këto ditë është në festë, e cila kulmon deri në 17 gusht, me festimet e festës tradicionale të birrës. Dhe në këtë kuadër, për të “mos shqetësuar” bizneset dhe krijuar rrëmujë, Bashkia u ka shtyrë afatin për lirimin e hapësirave publike deri më 17 gusht. Lajmi u dha nga kryebashkiaku Sotiraq Filo.
Ai tha gjithashtu se aksioni për lirimin e hapësirave publike është pjesë e një projekti më të gjerë për rikthimin e standardeve urbane në zonat publike të qytetit.
“Bashkia e Korçës ka nisur aksionin e lirimit të hapësirave publike në qytet, në vijim edhe të aksionit kombëtar. Ky aksion do të prekë hapësirat publike që janë zënë nga bizneset, hapësirat publike që rrethojnë pallatet… Elementi i parë janë elementët e mobilimit urban që do të lejohet të vendosen në këtë hapësirë publike, që do të jenë vetëm çadra, karrige e tavolina, duke hequr të gjithë elementët e tjerë që janë pedanat, ndarjet anësore apo vazo rreth e rrotull bizneseve. Elementi i dytë është madhësia e hapësirës publike që do të vihet në dispozicion të bizneseve, për të respektuar raportin 25% për bizneset dhe 75% në dispozicion të kalimtarëve,” sqaroi ai.
Ai shtoi gjithashtu se brenda ditës së sotme bizneseve do t’u vihet në dispozicion hapësira e re që do të mund të shfrytëzojnë, sipas kushteve të reja. Në fund të deklaratës së tij, Filo theksoi se transformimi i zonës pedonale është një proces që ka nisur prej vitesh dhe se bizneset janë informuar vazhdimisht për ndryshimet e pritshme.
Bizneset kishin reaguar me protestë ndaj nismës për çmontimin e tendave, duke pretenduar se në këtë periudhë atyre do t’u ndikojë ndjeshëm tek aktiviteti i përditshëm dhe do të shkaktojë pakënaqësi te vizitorët, por edhe banorët vendas.
