Fermerët e vetëpunësuar në bujqësi kanë patur mundësi gjatë këtij viti të shlyejnë detyrimet e prapambetura për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pa paguar gjoba dhe kamatëvonesa, në zbatim të ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) njofton se ligji parashikon lehtësira për fermerët që kanë akumuluar detyrime ndër vite, duke u dhënë mundësinë të rregullojnë situatën e tyre kontributive dhe të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore.
Sipas ISSH-së, për të gjitha detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014, do të fshihen plotësisht dënimet administrative, ndërsa fermerët do të duhet të paguajnë vetëm kontributin bazë.
Ndërkohë, për periudhën nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, gjobat dhe kamatëvonesat do të shuhen me kusht që kontributet e plota të paguhen brenda datës 31 dhjetor 2026.
Kjo do të thotë se fermerët që kanë detyrime të papaguara për këto periudha mund t’i shlyejnë ato pa kostot shtesë të krijuara nga vonesat, duke paguar vetëm shumën e kontributeve të detyrueshme.
ISSH thekson se kjo masë synon t’u japë mundësi të vetëpunësuarve në bujqësi të rregullojnë detyrimet e akumuluara ndër vite, duke përmirësuar njëkohësisht pozicionin e tyre në skemën e sigurimeve shoqërore.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kontributi vjetor për të vetëpunësuarit në bujqësi është 38,400 lekë në vit për fermerët në zonat fushore dhe 29,400 lekë në vit për fermerët në zonat malore.
Shlyerja e kontributeve është e rëndësishme për plotësimin e periudhave të sigurimit, të cilat ndikojnë në përfitimin dhe llogaritjen e pensionit, si dhe në mbrojtjen shëndetësore sipas kushteve të legjislacionit në fuqi. /ekofin.al
