Në Censin e vitit 2023, rezultoi se pjesa më e madhe e popullsisë së Shqipërisë jeton në njësi ekonomike familjare private, (99,3 përqind), ndërkohë 0,7 përqind janë anëtarë të banesave kolektive. Referuar momentit të censit, numri i Njësive Ekonomike Familjare (NjEF) ishte 755.950 dhe madhësia mesatare u vlerësua 3,2 anëtarë për NjEF.
Në Censin e vitit 2011 madhësia mesatare e NjEF ishte 3,9 anëtarë për NjEF. Më shumë se një në tetë NjEF (13,7 përqind) përbëhen nga një person i vetëm, duke përfaqësuar 4,3 përqind të popullsisë.
Tipologjitë e Njësive ekonomike familjare të hasura më së shumti ishin ato të përbëra me dy deri në katër anëtarë, përkatësisht dy të tretat (2/3) e totalit. Rreth 28,5 përqind e NjEF, përfaqësohet nga tipologjia e NjEF me përbërje prej dy anëtarësh, e cila është dhe kategoria më e madhe.
NjEF më të mëdha, me pesë apo më shumë anëtarë, përfaqësojnë më pak se një të pestën (19,5 përqind).

Personat e referencës në NjEF kanë tendencë të jenë personat më të moshuar në moshë. Pothuajse gjysma (49,0 përqind) e personave të referencës janë të moshës 60 vjeç e lart, dhe 15 përqind janë nën moshën 40 vjeç. Përgjithësisht, përqindja e personave të referencës burra është më e lartë krahasuar me gratë përkatësisht 75,7 përqind dhe 24,3 përqind.

Pjesa më e madhe e popullsisë, 88,1 përqind jetonin në NjEF me përbërje tradicionale të bërthamave familjare (fëmijë, bashkëshort, bashkëjetues dhe prindër). Nga pjesa tjetër e popullsisë (11,9 përqind), 7,6 përqind e tyre deklaruan se nuk kishin lidhje familjare dhe 4,3 përqind e popullsisë jetonin vetëm.
Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5 përqind e tyre ishin 60 vjeç e lart. Bërthamat familjare më të shpeshta përbëheshin nga çifte të martuara ose bashkëjetues me fëmijë, 52,2 për qind, e ndjekur nga çifte të martuara ose bashkëjetues pa fëmijë, 37,5 për qind, ndërkaq prindërit e vetëm me fëmijë përbënin vetëm 10,3 për qind të tyre. /ekofin.al
