Me hyrjen në fuqi të Udhëzimit të Ministrisë së Financave ka nisur zbatimi edhe për detyrimet e taksave dhe tarifave vendore i ligjit nr. 86/2025 për faljen dhe lehtësimin e detyrimeve. Bashkia e Tiranës njoftoi se qytetarët pronarë të njësive tregtare dhe bizneset debitore mund të përfitojnë nga fshirja e plotë ose e pjesshme e detyrimeve, si edhe nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, në varësi të periudhës kur janë krijuar këto detyrime.
Sipas përcaktimeve të ligjit, të gjitha detyrimet vendore të krijuara deri më 31 dhjetor 2014 do të fshihen automatikisht dhe pa asnjë pagesë nga ana e taksapaguesit. Kjo kategori përfiton falje të plotë të principalit, gjobave dhe kamatëvonesave, pa pasur nevojë për procedura shtesë.
Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, ligji parashikon dy alternativa lehtësuese. Taksapaguesit mund të paguajnë 50% të principalit deri më 30 qershor 2026 dhe pjesa tjetër do të falet, ose të paguajnë 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026, duke përfituar sërish faljen e pjesës së mbetur. Në të dy rastet, falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.
Ndërkohë, për detyrimet e krijuara në periudhën 2020-2024 kërkohet pagesa e plotë e principalit deri në fund të vitit 2026, ndërsa pas shlyerjes së tij do të falen gjobat dhe interesat për vonesat.
Bashkia e Tiranës thekson se edhe në rastet kur principali është paguar më herët dhe kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa, këto detyrime do të falen. Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kryerjes së pagesës të specifikojnë se pagesa po realizohet në bazë të ligjit të faljes, në mënyrë që të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara.
Taksapaguesit mund të verifikojnë detyrimet përmes platformës e-Albania, ndërsa për informacion shtesë mund të kontaktojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkia e Tiranës.
Ligji përjashton nga përfitimi subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces gjyqësor apo hetim penal për vepra në fushën tatimore dhe doganore. /ekofin.al
