Administrata Tatimore ka përfunduar procesin e fshirjes pa kushte të një pjese të konsiderueshme të detyrimeve tatimore të papaguara, në kuadër të zbatimit të ligjit për faljen fiskale. Procesi është realizuar në bashkëpunim me ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Albanian Digital Solutions (ADS), duke sjellë përfitime për më shumë se 105 mijë tatimpagues në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave zyrtare, nga procesi kanë përfituar 105,409 tatimpagues, ndërsa vlera totale e detyrimeve të fshira arrin në rreth 91.6 milionë euro.
Pjesa më e madhe e shumës së falur lidhet me gjobat administrative të vendosura për detyrime të papaguara që i përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2014. Në këtë kategori janë fshirë rreth 70.5 milionë euro gjoba për 13,667 tatimpagues, me kusht që detyrimet të kenë datë kontabilizimi deri më 31 dhjetor 2024.
Ndërkohë, një tjetër kategori përfituesish ka përfituar nga fshirja e rreth 21.1 milionë eurove gjoba administrative, përfshirë edhe gjobat për dorëzimin me vonesë të deklaratave tatimore. Këto detyrime lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2024 dhe me datë kontabilizimi deri më 30 qershor 2026. Nga kjo masë kanë përfituar 96,302 tatimpagues, me kusht që deklaratat përkatëse të kenë statusin “e dorëzuar”.
Pavarësisht përfundimit të procesit të fshirjes automatike të gjobave, Administrata Tatimore rikujton se bizneset dhe individët kanë ende kohë deri më 30 qershor 2026 për të përfituar nga një tjetër lehtësi e rëndësishme e parashikuar në ligj.
Bëhet fjalë për detyrimet tatimore që i përkasin periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019. Tatimpaguesit që paguajnë me një këst të vetëm 50% të detyrimit kryesor (principalit) deri në fund të këtij muaji, do të përfitojnë fshirjen e 50% të mbetur të principalit, si dhe faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me këto detyrime.
Kjo fazë konsiderohet vendimtare për suksesin e plotë të skemës së faljes fiskale, pasi u jep mundësi mijëra bizneseve dhe individëve të mbyllin detyrimet e vjetra me një kosto dukshëm më të ulët dhe të rikthehen në marrëdhënie të rregullta me administratën tatimore.
Administrata Tatimore ka vendosur gjithashtu në dispozicion të tatimpaguesve një adresë të dedikuar elektronike për çdo paqartësi ose informacion shtesë lidhur me zbatimin e ligjit të faljes, ndërsa afati i 30 qershorit mbetet data kyçe për të përfituar nga lehtësitë e mbetura që ofron kjo skemë. /ekofin.al

