Mbi 223 mijë tatimpagues rezultojnë deri tani përfitues nga ligji i faljes fiskale, përmes të cilit parashikohet fshirja ose shuarja e detyrimeve tatimore të papaguara me një vlerë totale prej rreth 465.1 milionë eurosh. Falja do të zbatohet me dhe pa kushte, në varësi të kategorisë së detyrimeve dhe kritereve të përcaktuara në legjislacion.
Kjo nismë përbën një ndër ndërhyrjet më të mëdha në stokun e detyrimeve tatimore të papaguara, duke synuar lehtësimin e barrës së akumuluar financiare për bizneset dhe tatimpaguesit e tjerë.
Megjithatë, shifrat përfaqësojnë detyrime të parashikuara për falje ose shuarje dhe jo domosdoshmërisht të ardhura që buxheti i shtetit do të kishte mundur të arkëtonte.
TVSH dhe tatimfitimi, mbi 287 milionë euro detyrime për t’u falur
Peshën më të madhe në vlerën e përgjithshme të detyrimeve që përfshihen në skemën e faljes fiskale e zënë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe tatimi mbi fitimin.
Sipas të dhënave të Tatimeve, detyrimet e papaguara nga TVSH-ja që parashikohet të fshihen ose shuhen arrijnë në 145.1 milionë euro, nga të cilat përfitojnë 13,242 tatimpagues.
Ndërkohë, për tatimin mbi fitimin, vlera e detyrimeve arrin në 141.9 milionë euro, me 16,367 tatimpagues përfitues.
Të dyja këto kategori përfaqësojnë së bashku rreth 287 milionë euro, ose afro 61.7% të shumës totale të detyrimeve që përfshihen në faljen fiskale.
Kjo tregon se pjesa më e madhe e stokut të detyrimeve të përfshira në këtë proces lidhet me dy prej tatimeve kryesore që paguhen nga bizneset.
Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, 68.5 milionë euro detyrime
Një tjetër kategori e rëndësishme përfshin detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas Administratës Tatimore, në këtë kategori parashikohet fshirja ose shuarja e 68.5 milionë eurove detyrime, ndërsa numri i tatimpaguesve përfitues arrin në 63,636.
Kjo është një nga kategoritë me numrin më të lartë të tatimpaguesve të përfshirë në skemë.
Për tatimin e mbajtur në burim, detyrimet që përfshihen në falje arrijnë në 27.2 milionë euro, me 18,629 tatimpagues përfitues.
Ndërkohë, për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin, parashikohet fshirja ose shuarja e 6.7 milionë eurove detyrime, nga e cila përfitojnë 51,433 tatimpagues.
Për tatimin mbi të ardhurat individuale, vlera e detyrimeve që parashikohet të falen është rreth 1.76 milionë euro, me 27,507 tatimpagues përfitues.
Një shumë e konsiderueshme prej 73.9 milionë eurosh përfshihet në kategorinë e detyrimeve të tjera tatimore, me 33,109 tatimpagues përfitues.
Falja me dhe pa kushte, çfarë duhet të dinë tatimpaguesit?
Administrata Tatimore bën të ditur se ligji parashikon faljen e detyrimeve tatimore të papaguara, si në mënyrë të pakushtëzuar, ashtu edhe me kushte.
Kjo do të thotë se trajtimi i detyrimeve nuk është i njëjtë për të gjithë tatimpaguesit. Përfitimi konkret do të varet nga natyra e detyrimit dhe plotësimi i kritereve ligjore.
Për këtë arsye, bizneset dhe individët që kanë detyrime të prapambetura duhet të verifikojnë kategoritë e detyrimeve që përfshihen në falje, si dhe kushtet që duhet të përmbushin për të përfituar.
Administrata Tatimore ka vendosur në dispozicion edhe adresën elektronike [email protected], përmes së cilës tatimpaguesit mund të kërkojnë informacion lidhur me zbatimin e ligjit. /ekofin.al
