Procesi i zbatimit të ligjit të faljes fiskale vijon, ndërsa administrata tatimore njofton se deri më 30 qershor 2026 janë fshirë ose shuar detyrime tatimore me vlerë totale prej 313 milionë eurosh për 121,630 tatimpagues përfitues.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, procesi i fshirjes automatike të detyrimeve të papaguara po vazhdon për subjektet që përmbushin kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 86/2025 “Për faljen”.
Administrata tatimore bën të ditur se përfituesit e ligjit nuk kanë nevojë të paraqesin kërkesa individuale, pasi verifikimi dhe fshirja e detyrimeve kryhen automatikisht nga sistemi, në përputhje me parashikimet ligjore.
Ligji i faljes parashikon shuarjen e një sërë detyrimesh tatimore dhe masash ndëshkimore të krijuara ndër vite, me synimin për të lehtësuar barrën financiare të bizneseve dhe individëve, si dhe për të pastruar regjistrat e administratës nga detyrime të konsideruara të pambledhshme.
Tatimet theksojnë se procesi vijon ende dhe subjektet që përfshihen në kategoritë e përcaktuara nga ligji do të përfitojnë automatikisht nga fshirja e detyrimeve, pa procedura shtesë administrative.

