Administrata Tatimore kujton se falja e gjobave pёr Fiskalizimin do tё vijojё deri mё 31 dhjetor 2021.
Administrata Tatimore bëri të ditur se numri i tatimpaguesve të fiskalizuar deri tani llogaritet 56,715, ndërsa numri I certifikatave elektronike të lëshuara në total është 90.520. Po ashtu, DPT thotë se numri faturave të fiskalizuara të lëshuara është 118 848 981.
Certifikata Elektronike është një nga elementet e nevojshëm për të kryer procesin e Fiskalizimit. Për t’u pajisur me të, tatimpaguesit duhet të aplikojnë përmes portalit e-Albania duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për Certifikatën Elektronike”.
Më 1 janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të reformës së Fiskalizimit, që konsistonte në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G); më 1 korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B); më 1 shtator nisi faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).
Procesi i Fiskalizimit, një reformë që administrata tatimore e ka nisur prej 1 janarit të këtij viti pritet të ketë një efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit dhe veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurt.