Vendet evropiane po kalojnë me shpejtësi nga testimi i inteligjencës artificiale në përdorimin e saj të drejtpërdrejtë në sistemet ushtarake dhe armët moderne. Sipas një analize të Euronews Next, Gjermania, Franca, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar konsiderohen aktualisht vendet që kanë avancuar më shumë në integrimin e AI në mbrojtje.
Një nga zhvillimet më të fundit është programi “Brave Germany”, i nisur këtë javë nga Gjermania dhe Ukraina, që parashikon prodhimin e rreth 5 mijë dronëve sulmues me rreze të mesme dhe të pajisur me inteligjencë artificiale. Marrëveshja Berlin-Kiev është pjesë e një vale projektesh dhe kontratash që synojnë përdorimin e AI në sistemet e vendimmarrjes ushtarake, analizën e të dhënave dhe armët moderne.
Ekspertët thonë se ushtritë evropiane kanë përdorur inteligjencën artificiale prej rreth 10 vitesh, kryesisht për logjistikë, mirëmbajtje dhe menaxhim të personelit. Por që prej vitit 2015, teknologjia u zhvillua aq shumë sa AI u kthye në prioritet strategjik për ushtritë evropiane. Sot investimet fokusohen kryesisht në dy drejtime: armët gjysmëautonome dhe sistemet e mbështetjes së vendimmarrjes në luftë.
Gjermania konsiderohet një nga liderët kryesorë në këtë garë. Ministria gjermane e Mbrojtjes ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë Helsing AI për të ndërtuar “trurin” artificial të avionit luftarak të gjeneratës së ardhshme FCAS. Gjermania ka lidhur gjithashtu kontrata me Helsing dhe Saab Germany për integrimin e AI në sistemet elektronike të avionëve Eurofighter. Një tjetër kontratë prej 269 milionë eurosh parashikon prodhimin e dronëve vetëvrasës, të njohur si “kamikaze drones”, për ushtrinë gjermane dhe NATO-n.
Edhe Mbretëria e Bashkuar po investon fuqishëm në këtë sektor. Londra njoftoi në vitin 2025 programin “Asgard”, një rrjet digjital zbulimi dhe sulmi që kombinon sensorë, armë dhe sisteme AI për të përmirësuar vendimmarrjen ushtarake. Paralelisht, kompania amerikane Palantir u angazhua të investojë deri në 1.5 miliardë paund, ose rreth 1.73 miliardë euro, për të ndihmuar Britaninë në përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale.
Franca ndërkohë po ndjek një strategji më të pavarur, duke tentuar të ndërtojë sisteme ushtarake AI “sovrane”, të pavarura nga kompanitë amerikane. Në janar, qeveria franceze lidhi një marrëveshje me kompaninë Mistral, e konsideruar si një nga rivalet kryesore evropiane të ChatGPT dhe Claude. Marrëveshja i lejon ushtrisë franceze të përdorë modelet dhe shërbimet AI të kompanisë.
Një rol të madh në zhvillimin e AI ushtarake po luan edhe Ukraina. Lufta me Rusinë ka kthyer vendin në një laborator real për përdorimin e inteligjencës artificiale në fushën e betejës. Ukraina ka zhvilluar sistemin Delta, një platformë të menaxhimit të betejës që kombinon radarë, satelitë dhe analiza AI për të ndihmuar komandantët ushtarakë në vendimmarrje dhe identifikimin e objektivave armike.
Forcat ukrainase po përdorin gjithashtu dronë “kamikazë”, ku identifikimi i objektivit dhe navigimi bëhen automatikisht nga sistemi. Sipas ekspertëve, edhe pse vendimi final për goditjen mbetet te komandanti, lufta në Ukrainë po shtyn ushtritë drejt automatizimit gjithnjë e më të madh të proceseve ushtarake.
Institucionet evropiane po financojnë gjithashtu projekte të reja për inteligjencën artificiale në mbrojtje përmes Fondit Evropian të Mbrojtjes. Mes projekteve të përzgjedhura janë zhvillimi i modeleve të mëdha gjuhësore për përdorim ushtarak, sisteme AI për artilerinë dhe platforma të mbrojtjes kibernetike për tufa dronësh.
Ekspertët paralajmërojnë se sfida kryesore për Evropën nuk është më mungesa e teknologjisë, por shpejtësia e vendimmarrjes dhe zbatimit. Sipas tyre, ndërsa Rusia, Kina dhe SHBA po ecin me ritme të shpejta, Evropa rrezikon të mbetet pas nëse projektet vazhdojnë të pengohen nga burokracia dhe proceset e ngadalta politike./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
