Nafta Brent ka kaluar mbi 100 euro për fuçi pasi Ngushtica e Hormuzit u mbyll. Në mungesë të një përgjigjeje të unifikuar nga Brukseli, kryeqytetet europiane po zgjedhin rrugë të ndryshme: ulje taksash, vendosje tavanesh çmimesh ose thjesht shtyrje të masave konkrete.
Lufta në Iran ka sjellë një rritje të fortë të çmimeve të naftës, me efekte zinxhir në karburantet dhe energjinë. Rritja e çmimeve të karburanteve në Evropë është e dukshme, duke kaluar mbi 34% në Spanjë.
Rritja është reflektuar edhe në faturat e energjisë elektrike dhe gazit për familjet europiane, duke detyruar shumë vende të ndërmarrin masa për të zbutur këtë rritje të vazhdueshme që prej 28 shkurtit, kur nisi sulmi ndaj Iranit.
Konflikti ka ndërprerë rreth 20% të furnizimit global me naftë që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, duke e çuar Brent nga rreth 60 euro në mbi 100 euro për fuçi brenda pak ditësh. Çmimet e gazit natyror në Evropë janë rritur me 60% që nga fillimi i konfliktit.
Rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës në pikat e furnizimit në Evropë ka qenë e fortë, me çmime që kalojnë 2 euro për litër në Gjermani.
Rritjet më të mëdha janë shënuar tek nafta (diesel), ku disa vende kanë kaluar mbi 2 euro për litër, me rritje që variojnë nga rreth 17.5% në Portugali deri në 34.3% në Spanjë.
Përballë këtyre rritjeve të forta, qeveritë kanë filluar të ndërhyjnë për të mos ia kaluar gjithë barrën qytetarëve, sidomos duke pasur parasysh se karburantet janë ndër produktet më të taksuara në Evropë.
Spanja me paketën më ambicioze
Qeveria e Pedro Sánchez miratoi një paketë prej 5 miliardë eurosh për të zbutur rritjen e çmimeve, e vlefshme deri më 30 qershor 2026.
Masat fokusohen kryesisht tek ulja e taksave. TVSH-ja për të gjitha format e energjisë u ul nga 21% në 10%, duke përfshirë karburantet, energjinë elektrike dhe gazin natyror, ndërsa është vendosur edhe tavan për çmimin e butanit.
Këto masa pritet të ulin faturat e energjisë me 13%, ndërsa çmimi i karburanteve do të ulet me rreth 30 cent për litër. Për sektorët më të ekspozuar, si transporti, bujqësia dhe peshkimi, është parashikuar një kompensim prej 20 cent për litër.
Në të njëjtën kohë, Spanja autorizoi lirimin e 11.5 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike, pjesë e planit global të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për lirimin e 400 milionë fuçive.
Spanja përfiton edhe nga një pozicion më i favorshëm energjetik, me çmime të energjisë elektrike mes 37 dhe 57 euro për MWh, krahasuar me 113 euro në Gjermani dhe 141 euro në Itali, falë faktit që mbi 60% e energjisë prodhohet nga burime të rinovueshme.
Gjermania, Italia dhe Portugalia me qasje të ndryshme
Gjermania është ndër vendet më të goditura, me çmimet e benzinës që janë rritur nga 1.82 euro në 2.16 euro për litër, një rritje prej rreth 18% në vetëm dy javë. Qeveria ka zgjedhur të ndërhyjë duke rregulluar sjelljen e tregut, duke propozuar që pikat e karburantit të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë.
Italia ka propozuar përdorimin e të ardhurave shtesë nga TVSH-ja për të kompensuar konsumatorët dhe paralajmëron sanksione ndaj kompanive që rrisin fitimet në mënyrë abuzive.
Portugalia ndërhyri më shpejt, duke ulur përkohësisht taksën e naftës me 3.55 cent për litër, pasi çmimet kaluan pragun e rritjes prej 10 cent.
Franca, Polonia, Hungaria dhe Austria me masa më të kufizuara
Në Francë, reagimi kryesor erdhi nga kompania TotalEnergies, e cila vendosi tavan për çmimet e karburanteve deri në fund të muajit. Qeveria ka zgjedhur të fokusohet më shumë tek diplomacia sesa tek uljet e taksave.
Polonia ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm, duke mos ndërmarrë masa të mëdha fiskale, ndërsa Austria ka vendosur kufizime në rritjen e çmimeve, duke lejuar rritje vetëm tre herë në javë.
Hungaria ka vendosur një tavan të drejtpërdrejtë çmimesh, me 1.54 euro për litër për benzinën dhe 1.59 euro për diesel, por vetëm për automjetet me targa vendase.
Masat e Bashkimit Evropian
Në nivel europian, Komisioni po shqyrton masa emergjente të përkohshme në rast të një krize të rëndë çmimesh, por thekson se ato duhet të jenë të kufizuara në kohë dhe të mos pengojnë tranzicionin drejt energjisë së pastër.
Sipas Financial Times, Komisioni ka kërkuar që vendet anëtare të ulin objektivin për mbushjen e depozitave të gazit në 80% të kapacitetit, nga objektivi zyrtar më i lartë, për të stabilizuar tregun.
Në total, reagimet në Evropë variojnë nga mungesa e mbështetjes direkte, si në Francë, deri tek paketa mbi 5 miliardë euro në Spanjë. Kohëzgjatja e krizës do të varet kryesisht nga zhvillimet e luftës dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit.
Shqipëria pret vendimin për Bord Transparence dhe ulje të kushtëzuar akcize
Shqipëria ka parashikuar ndërhyrje të drejtpërdrejta në tregun e karburanteve përmes ngritjes së Bordit të Transparencës, i cili do të funksionojë pavarësisht nivelit të çmimit të naftës, me qëllim rritjen e kontrollit dhe transparencës në formimin e çmimeve në treg.
Paralelisht, në rast se çmimi i naftës tejkalon pragun prej 220 lekë/litër, parashikohet një masë fiskale lehtësuese, konkretisht heqja e TVSH-së 20% mbi akcizën, për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve tek konsumatorët dhe bizneset. Këto mekanizma synojnë të kombinojnë mbikëqyrjen administrative me ndërhyrjen fiskale, në funksion të stabilizimit të tregut dhe mbrojtjes së fuqisë blerëse në periudha presioni nga tregjet ndërkombëtare. ekofin.al
