Komisioni Evropian pritet të mbështesë zyrtarisht objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, përmes një udhërrëfyesi të ri, i cili pritet të përmbajë edhe një listë me detyrat kryesore që Tirana duhet të përmbushë me përparësi për ta përfunduar procesin deri në fund të vitit të ardhshëm.
Komisioni Evropian po punon me synimin që procesi i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë të përmbyllet deri në dhjetor 2027, një afat që Tirana e ka promovuar prej kohësh dhe që tani pritet të marrë njohje zyrtare në udhërrëfyesit e ardhshëm të Bashkimit Evropian për zgjerimin, thanë zyrtarë të BE-së për Euronews.
Komisioni po përgatit një udhërrëfyes që do të konfirmojë objektivin e deklaruar të Shqipërisë për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit të ardhshëm dhe do të përcaktojë detyrat prioritare për të adresuar boshllëqet e mbetura në procesin e anëtarësimit.
Shqipëria ka vendosur fundin e vitit 2027 si objektiv për përfundimin e negociatave të anëtarësimit, një afat që kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë e kanë përshkruar vazhdimisht si një plan të dakordësuar me Komisionin Evropian.
Por, ndonëse zyrtarët e Komisionit e kanë mbështetur këtë ambicie, ekzekutivi i BE-së zakonisht nuk përcakton afate për anëtarësimin, pasi zgjerimi konsiderohet një proces që duhet të bazohet te meritat dhe përmbushja e kritereve.
“Siç e dini, zgjerimi nuk funksionon me data. Por sa më shumë që një vend i afrohet fundit të pjesës teknike të procesit të anëtarësimit, aq më shumë mund të themi për këtë ose aq më shumë mund të flasim në terma vitesh”, deklaroi në korrik Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Kjo pritet të ndryshojë së shpejti. Në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit para Parlamentit Evropian javën e kaluar, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi hartimin e një serie “udhërrëfyesish” për vendet kandidate.
“Ne do të propozojmë së shpejti udhërrëfyes për kandidatët që kanë bërë përparimin më të madh”, tha von der Leyen, duke përmendur Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor si vende e rajone, e ardhmja e të cilave është në Bashkimin Evropian.
Udhërrëfyesit pritet të përcaktojnë një afat orientues, për t’u dhënë vendeve kandidate një drejtim më të qartë, duke rikthyer në një farë mënyre qasjen e strategjisë së zgjerimit të vitit 2002, e cila i parapriu anëtarësimit të madh të 10 vendeve të reja në BE.
Këta udhërrëfyes do të përfshihen në paketën vjetore të zgjerimit të Komisionit, e cila shërben si një vlerësim i përvitshëm i ecurisë së procesit të anëtarësimit. Paketa pritet të publikohet në fund të tetorit dhe do të përfshijë gjithashtu vlerësime specifike për secilin vend dhe rekomandime për hapat e ardhshëm.
Në këtë kuadër, Komisioni po harton edhe një raport vlerësimi për kriteret e mbylljes, i cili shqyrton nëse një vend kandidat ka përmbushur standardet e përcaktuara për t’u konsideruar se ka plotësuar kërkesat e anëtarësimit, veçanërisht në drejtësi dhe sundimin e ligjit, të ashtuquajturat “çështje themelore”.
Në rastin e Shqipërisë, plani është që të përfshihet një listë me detyrat kryesore, ku do të përcaktohen reformat dhe masat që nevojiten për të mbyllur boshllëqet e mbetura në përmbushjen e kritereve.
Një qasje e ngjashme është përdorur tashmë për Malin e Zi, ku Komisioni shfrytëzoi procesin e vlerësimit të kritereve të mbylljes për të përcaktuar konkretisht reformat dhe rezultatet që vendi duhej të realizonte.
Lista e detyrave synon t’u japë vendeve kandidate një sinjal të qartë se ku ndodhen prioritetet, duke i nxitur ato të përfundojnë hapat që ende mungojnë.
“Në thelb, Komisioni pa se kjo qasje funksionoi mirë me Malin e Zi dhe dëshiron ta përsërisë atë”, tha për Euronews një zyrtar i BE-së, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë së diskutimeve.
