Kompanitë që krijojnë ose përdorin përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale duhet ta etiketojnë atë qartë, në mënyrë që përdoruesit të jenë në dijeni, sipas një udhëzimi të Bashkimit Europian që hyri në zbatim të dielën.
Deepfake-et dhe përmbajtjet e tjera të gjeneruara nga inteligjenca artificiale duhet të etiketohen duke nisur nga e diela, ndërsa hyjnë në fuqi rregullat gjithëpërfshirëse të Bashkimit Europian për transparencën në fushën e AI-së.
Qëllimi është që europianët të mund të kuptojnë menjëherë nëse përmbajtja që shohin në internet është reale apo e krijuar artificialisht.
Ligji gjithëpërfshirës i BE-së për inteligjencën artificiale hyn në fuqi në faza. Nga e diela, kompanitë duhet të sigurojnë që sistemet e tyre të AI-së, si chatbot-et, t’ua bëjnë të qartë përdoruesve se po ndërveprojnë me inteligjencë artificiale. Po kështu, kur një imazh apo tekst është krijuar duke përdorur AI, duhet të ketë një etiketë që e tregon këtë.
Kjo mund të realizohet përmes integrimit të watermark-eve dhe shenjave të tjera që mundësojnë identifikimin më të lehtë të përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Kompanitë përballen me gjoba të larta nëse nuk respektojnë rregullat.
Udhëzimi përcakton gjithashtu se përdoruesit profesionalë të sistemeve të AI-së duhet të informojnë individët kur ata ekspozohen ndaj:
- mjeteve për njohjen e emocioneve dhe kategorizimin biometrik;
- deepfake-eve;
- teksteve të publikuara për çështje me interes publik, kur ato nuk i janë nënshtruar shqyrtimit njerëzor ose kontrollit editorial.
Deepfake-et në fokus
“Inteligjenca artificiale gjeneruese mundëson krijimin e dezinformimit në një shkallë të paprecedentë, përshtatjen e tij për audienca të caktuara dhe përhapjen me një shpejtësi të jashtëzakonshme”, tha një zyrtar i BE-së.
Duke qenë se AI po e bën “gjithnjë e më të vështirë për të gjithë ne të dallojmë atë që është reale nga ajo që është sintetike”, zyrtari tha se rregullat e BE-së synojnë “të ruajnë aftësinë e qytetarëve për t’i besuar asaj që shohin, dëgjojnë dhe lexojnë”.
Një shqetësim i veçantë për Bashkimin Europian janë deepfake-et, pra tekstet, imazhet, videot dhe materialet audio që duken reale, por janë krijuar ose manipuluar përmes inteligjencës artificiale.
Rregullat prekin përmbajtjen e krijuar për qëllime profesionale, ndërsa BE-ja thekson se individët që përdorin AI-në vetëm për qëllime personale nuk do të preken.
Edhe tekstet që synojnë të informojnë publikun për çështje me interes të përgjithshëm do të duhet të etiketohen, nëse janë krijuar me inteligjencë artificiale pa mbikëqyrje editoriale njerëzore.
Sistemet ekzistuese të AI-së kanë afat deri më 2 dhjetor 2026 për t’u përshtatur me rregullat e reja, ndërsa parashikohen përjashtime për veprat “artistike, krijuese, satirike dhe fiktive”.
BE shton presionin mbi kompanitë
Bashkimi Europian është kritikuar për shtimin e kërkesave ndaj bizneseve, ndërsa përdorimi gjithnjë e më i përhapur i inteligjencës artificiale në Europë mund të bëjë që, në praktikë, një pjesë shumë e madhe e përmbajtjes të duhet të etiketohet.
“Kemi dëgjuar se zbatimi do të jetë shumë, shumë i vështirë. Por mendoj se këtë e dëgjojmë shpesh kur vendosen kërkesa për pajtueshmëri. Megjithatë, bota vazhdon të ecë dhe ne arrijmë t’i zgjidhim këto çështje”, tha Ashley Casovan nga International Association of Privacy Professionals.
Gjigantët botërorë të teknologjisë kanë nisur tashmë të vendosin etiketimet e tyre, në pritje të zbatimit të rregullave.
Për shembull, TikTok prej disa vitesh u kërkon krijuesve të përmbajtjes të etiketojnë imazhet, materialet audio dhe videot e gjeneruara nga AI. Kompania thotë se më shumë se tre miliardë përmbajtje tashmë mbajnë etiketa falë mjeteve dhe teknologjisë së zbulimit.
Në mënyrë të ngjashme, Meta ka vendosur etiketën “AI Info” në Instagram dhe Facebook për postimet që përdorin këtë teknologji.
Google ka nënshkruar kodin e sjelljes së BE-së për transparencën në inteligjencën artificiale dhe thotë se po punon me kompani të tjera, përfshirë Nvidia, OpenAI dhe Apple, për zhvillimin e mjeteve të etiketimit dixhital.
Megjithatë, Karen Massin nga Google paralajmëron për një “kompleksitet rregullator” që mund të rezultojë kundërproduktiv dhe “rrezikon të ngatërrojë pikërisht njerëzit që këto rregulla synojnë të ndihmojnë”.
“Nëse përmbajtja online mbushet me etiketa të mbivendosura për AI-në dhe me njoftime të ndryshme ligjore, bëhet më e vështirë për njerëzit të marrin kontekstin e qartë që u nevojitet”, shtoi Massin./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
