Shqipëria ka shënuar një përmirësim të dukshëm në përfshirjen e të rinjve në tregun e punës dhe në arsim, por përsëri mbetet ende punë për t’u bërë. Të dhënat e analizuara nga European Training Foundation (ETF) mbi politikat aktive të tregut të punës në Ballkanin Perëndimor tregojnë se pesha e të rinjve që nuk janë as në punë, as në arsim dhe as në trajnim (të njohur si NEET) ra në Shqipëri nga 25% në vitin 2023 në 22.2% në vitin 2024.
Rënia me 2.8 pikë përqindjeje brenda një viti është një sinjal pozitiv për tregun shqiptar të punës, veçanërisht duke pasur parasysh se treguesi NEET përfshin një prej kategorive më problematike për politikat e punësimit: të rinjtë 15–29 vjeç që ndodhen jashtë punës, shkollimit dhe çdo forme trajnimi.
Raporti i ETF e rendit Shqipërinë në një nivel të mesëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ndërkohë që papunësinë e të rinjve rezulton mes problemeve të përbashkëta strukturore të tregjeve të punës në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Krahasimi rajonal tregon përveç ndryshime, vendet e Ballkanit kanë edhe pikëtakime. Në Maqedoninë e Veriut, norma NEET për grupmoshën 15–29 vjeç ka zbritur nga 29.8% në vitin 2018 në 22.6% në 2024, një nivel më i lartë se ai Shqipërisë. Në Kosovë, situata paraqitet edhe më problematike: norma arrin në 31.4% për grupmoshën 15–29 vjeç dhe në 30% për të rinjtë 15–24 vjeç.
Në anën tjetër të spektrit qëndrojnë Serbia dhe Mali i Zi. Në Serbi, NEET për të rinjtë 15–29 vjeç ra në 14.9% në vitin 2024, ndërsa norma e punësimit për këtë grup u rrit nga 40.2% në 2023 në 41.3% në 2024. Papunësia e të rinjve gjithashtu zbriti nga 18.5% në 16.8%.
Në Malin e Zi, sipas analizës së ETF, norma NEET për grupmoshën 15–29 vjeç ra nga 23.2% në vitin 2022 në 16.5% në 2024. Në këtë mënyrë, Shqipëria me 22.2% qëndron në mes, më mirë se Maqedonia së Veriut dhe Kosova, por më poshtë se Serbia dhe Mali i Zi.
Përmirësimi i NEET në Shqipëri shoqërohet me një panoramë përgjithësisht më të mirë të tregut të punës. Norma e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart arriti në 58.2% në vitin 2024, ndërsa pjesëmarrja e popullsisë në moshë pune në forcën e punës ishte 76.2%. Për të rinjtë, norma e punësimit ishte 43.4%.
Në kontekstin rajonal, papunësia e të rinjve mbetet problem edhe për ekonomitë e tjera. Në Kosovë ajo ishte 19.5% për grupmoshën 15–24 vjeç në 2024, ndonëse ETF evidenton një rënie të fortë afatgjatë, nga 57.7% në vitin 2015 në 17.3% në 2023. Në Serbi, siç u përmend, papunësia për grupmoshën 15–29 vjeç ra në 16.8%.
Analiza e ETF e lidh kapërcimin e këtij hendeku edhe me politikat aktive të tregut të punës dhe, në veçanti, me mësimin në vendin e punës. Shqipëria ka disa programe që synojnë pikërisht kalimin nga papunësia drejt punësimit. Programi i trajnimit në vendin e punës, i drejtuar te punëkërkuesit e papunë dhe të pakualifikuar, kishte 262 përfitues në vitin 2024, nga 183 një vit më parë.
Programi i praktikave profesionale, i krijuar për të lehtësuar kalimin nga shkolla në punë për të sapodiplomuarit e papunë, kishte 602 përfitues në vitin 2024. Ndërkohë, programi i formimit profesional kishte 11,985 përfitues në 2025.
Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm për të rinjtë NEET është Garancia Rinore. Në skemën shqiptare, të rinjtë NEET mund të përfshihen në trajnime 3–6 mujore në kompani, ku 90% e programit zhvillohet në vendin e punës dhe 10% përbëhet nga pjesa teorike. /ekofin.al
