Personat me aftësi të kufizuara vijojnë të kenë një pjesëmarrje shumë të ulët në programet që synojnë nxitjen e punësimit në Shqipëri. Në vitin 2024, vetëm 103 prej 2,464 përfituesve, ose 4%, ishin persona me aftësi të kufizuara, ndërsa një tjetër tregues i monitorimit tregon se në vitin 2023 vetëm 27% e punëkërkuesve me aftësi të kufizuara të regjistruar në zyrat e punësimit përfituan nga punësimi, ndërmjetësimi ose formimi profesional.
Gjetjet janë pjesë e raportit të vitit 2026 të Fondacionit Evropian për Trajnim (ETF) për “Riintegrimin në tregun e punës dhe zhvillimin e aftësive të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri”. ETF vlerëson se ky grup mbetet vetëm “margjinalisht i përfaqësuar” mes përfituesve të masave të punësimit.
Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja është rritur gjatë vitit të fundit të analizuar, por nga një bazë shumë e ulët. Në vitin 2019, personat me aftësi të kufizuara ishin 53 ose 1% e përfituesve të programeve të nxitjes së punësimit. Numri ishte 67 ose 2% në 2020, 38 ose 1% në 2021, 48 ose 1% në 2022 dhe 40 ose 2% në 2023. Në vitin 2024 u arrit niveli më i lartë, me 103 persona ose 4% të totalit.
Megjithatë, ETF thekson se edhe niveli prej 4% mbetet shumë i vogël. Fondet për këto masa nuk janë të rezervuara posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara, por shpërndahen në gjashtë masa të përgjithshme punësimi. Për këtë arsye, sipas raportit, është e vështirë të vlerësohet se sa nga burimet financiare të disponueshme shkojnë realisht për integrimin e këtij grupi në tregun e punës.
Raporti thotë gjithashtu se ka një diferencë mes referimit drejt shërbimeve dhe përfitimit real prej tyre. Në vitin 2023, 971 persona me aftësi të kufizuara u referuan për punësim dhe formim profesional, ndërsa 425 prej tyre përfituan nga programe punësimi ose trajnimi. Nga këta, 119 morën formim profesional, 40 përfituan nga programet e nxitjes së punësimit dhe 266 u ndërmjetësuan përmes shërbimeve të punësimit.
Por kur llogaritja bëhet mbi të gjithë punëkërkuesit me aftësi të kufizuara të regjistruar në zyrat e punësimit, monitorimi për vitin 2023 tregon se vetëm 27% morën shërbime punësimi, ndërmjetësimi ose formimi profesional. Dy shifrat kanë baza të ndryshme krahasimi: 425 i referohet personave që ishin referuar posaçërisht për punësim dhe trajnim, ndërsa 27% të gjithë punëkërkuesve me aftësi të kufizuara të regjistruar.
Sipas ETF-së, pengesat nuk lidhen vetëm me hyrjen në program. Intervistat e zhvilluara për raportin tregojnë distancën e madhe mes banesës dhe vendit të punës, mungesën e infrastrukturës së aksesueshme dhe vështirësinë për ta mbajtur vendin e punës pasi ai është siguruar. Raporti evidenton gjithashtu mbështetjen e kufizuar pas punësimit si një faktor që dobëson qëndrueshmërinë në punë./ekofin.al

