Shqipëria po përpiqet të shndërrojë emigracionin masiv të profesionistëve në një mundësi zhvillimi ekonomik, por sipas modelit krahasimor të studimit të ri të European Training Foundation (ETF), vendi mbetet ende pas shteteve evropiane të renditura në vendet e fundit në këtë drejtim. Praktikisht, Shqipria renditet pas Moldavisë në ndërtimin e politikave të organizuara për rikthimin e emigrantëve të kualifikuar dhe përfitimin nga diaspora.
Studimi analizon periudhën 2014-2024 dhe mënyrën se si procesi i integrimit në Bashkimin Evropian po ndikon në politikat për “kthimin e trurit”, ose rikthimin e kapitalit njerëzor.
Raporti thekson se Shqipëria ka një nga diasporat më të mëdha në raport me popullsinë në Evropë. Sipas vlerësimeve të cituara në studim, mbi 1.2 milionë shqiptarë, ose më shumë se 40% e popullsisë së vendit, jetojnë jashtë. Për Moldavinë, diaspora vlerësohet në rreth 1 milion persona, ose 29% e popullsisë. Të dy vendet mbështeten fort te remitancat, të cilat përbëjnë rreth 9%-15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë dhe rreth 14% të PBB-së së Moldavisë.
Sipas raportit, diaspora nuk përfaqëson vetëm një burim financiar, por edhe një rezervë të madhe kapitali njerëzor, njohurish dhe lidhjesh profesionale ndërkombëtare që mund të përdoret për zhvillimin ekonomik të vendeve të origjinës.
ETF vëren se Shqipëria për shumë vite nuk arriti të ndërtonte një qasje të qëndrueshme për rikthimin e profesionistëve të larguar. Programet për “brain gain” kanë qenë kryesisht të pjesshme, të varura nga donatorët dhe pa koordinim të fortë institucional. Një nga nismat e para, programi “Brain Gain” i mbështetur nga UNDP, arriti të përfshinte vetëm rreth 100-150 profesionistë të kthyer.
Raporti i ETF, thekson se mungesa e një qasjeje të institucionalizuar bëri që shumë profesionistë të kthyer të hasnin vështirësi në njohjen e diplomave, në integrimin në tregun e punës apo në investimin e kursimeve të tyre në Shqipëri.
Sipas studimit, Shqipëria nisi ta formalizojë më seriozisht politikën e migracionit dhe diasporës pasi mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian në vitin 2014. Një nga momentet kyçe ishte miratimi i Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2019-2022, e hartuar me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila synonte forcimin e shërbimeve të riintegrimit dhe mbështetjes për emigrantët e kthyer.
Në vitin 2018 u miratua edhe Strategjia Kombëtare e Diasporës 2018-2024, e cila parashikonte krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës. Megjithatë, raporti vëren se shumë prej këtyre mekanizmave kanë mbetur në fazë pilot ose planifikimi dhe nuk janë shndërruar ende në politika të konsoliduara shtetërore.
ETF evidenton se emigrimi i ri i të rinjve dhe profesionistëve gjatë viteve të fundit, i kombinuar me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, ka shtyrë qeverinë shqiptare të fokusohet më shumë te rikthimi i emigrantëve të kualifikuar. Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024-2030 përfshin masa të reja për riintegrimin e emigrantëve të kthyer dhe promovimin e rikthimit të profesionistëve shqiptarë nga jashtë.
Raporti i ETF përmend edhe përfshirjen politike të diasporës si tregues të ndryshimit të qasjes së shtetit shqiptar ndaj emigrantëve. Në vitin 2021 Shqipëria miratoi ndryshime që lejojnë votimin nga jashtë për emigrantët, ndërsa në maj 2025 diaspora votoi për herë të parë në zgjedhjet lokale nga jashtë vendit.
Në krahasim me Shqipërinë, Moldavia paraqitet shumë më e avancuar në ndërtimin e mekanizmave për rikthimin e emigrantëve të kualifikuar. Sipas të dhënave, mbi 2,600 emigrantë dhe familjarë janë trajnuar, janë miratuar 1,815 projekte dhe janë hapur 739 biznese të reja në Moldavi. Programi “PARE 1+1” ka nxitur kthimin direkt të 564 emigrantëve për të hapur biznes, ndërsa 84% e bizneseve janë ngritur jashtë qyteteve kryesore.
Vetëm në fund të vitit 2023, Moldavia kishte miratuar edhe 54 grante të reja për emigrantët e kthyer, ndërsa përmes “Diaspora Engagement Hub” janë financuar mbi 100 grante për ekspertë dhe studiues të diasporës.
Ndërkohë, sipas raportit, Shqipëria ende nuk ka statistika të plota dhe transparente për profesionistët e kthyer apo rezultatet konkrete të politikave të “brain gain”.
ETF paralajmëron se rikthimi i emigrantëve nuk mjafton nëse shteti nuk krijon kushte reale për përdorimin e aftësive të tyre. Raporti përdor termin “brain waste”, duke paralajmëruar se profesionistët e kthyer mund të mbeten të nënvlerësuar ose të mos gjejnë vende pune të përshtatshme me kualifikimin e tyre. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

