Nga Mirilda Tili
“Shqipëria ka nevojë për një kuadër modern ligjor, kontroll më të fortë të barnave veterinare dhe luftë më efikase ndaj rezistencës antimikrobike”- thekson Ervin Resuli, presidenti i Urdhërit Profesional i Mjekut Veterinar, lidhur me projektligjin “Për Produktet Mjekësore Veterinare”, të hedhur për konsultim publik nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në një koment për Ekofin.al, Resuli, vlerëson se projektligji i ri adreson një nevojë të hershme të sektorit për krijimin e një kuadri të posaçëm ligjor për produktet mjekësore veterinare, të ndarë nga rregullimi i përgjithshëm i shërbimit veterinar.
Sipas tij, ndryshimet e propozuara nuk duhet të shihen vetëm si një detyrim që buron nga procesi i integrimit evropian, por si një instrument i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, konsumatorëve dhe sigurisë së zinxhirit ushqimor.
“Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar të Shqipërisë e mirëpret këtë nismë. Prej vitesh kemi mbështetur nevojën për një kuadër ligjor modern, të harmonizuar me standardet evropiane dhe të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të sotme të mjekësisë veterinare”, shprehet Resuli për Ekofin.al.
Një ligj i ri për një realitet të ri veterinar
Projektligji “Për Produktet Mjekësore Veterinare” përbëhet nga 157 nene dhe tre anekse dhe synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me Rregulloren (BE) 2019/6 për produktet mjekësore veterinare, e cila ka hyrë në zbatim në Bashkimin Evropian më 28 janar 2022, duke zëvendësuar Direktivën 2001/82/KE.
Aktualisht, kjo fushë rregullohet përmes dispozitave të përfshira në Kreun VII të ligjit nr. 10465/2011 “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”. Por, sipas profesionistëve të sektorit, zhvillimet e viteve të fundit e kanë bërë të nevojshme një qasje të re ligjore.
“Ligji aktual nr. 10465/2011, megjithëse ka shërbyer si baza e rregullimit të sektorit për më shumë se një dekadë, e trajtonte fushën e produkteve mjekësore veterinare vetëm në një kapitull të veçantë dhe bazohej kryesisht në legjislacionin evropian të asaj kohe, i cili tashmë është zëvendësuar nga Rregullorja (BE) 2019/6”, argumenton Resuli.
Sipas tij, sot sektori përballet me sfida të reja që kërkojnë mekanizma më të avancuar kontrolli, veçanërisht sa i takon përdorimit të antibiotikëve, gjurmueshmërisë dhe përgjegjësisë profesionale.
Rezistenca antimikrobike, një nga sfidat kryesore
Një nga elementët më të rëndësishëm që sjell kuadri i ri lidhet me luftën kundër rezistencës antimikrobike (AMR), një problem që konsiderohet një ndër kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik në nivel global.
Përdorimi i pakontrolluar apo jo i duhur i antibiotikëve tek kafshët mund të ndikojë në krijimin e baktereve rezistente, duke reduktuar efektivitetin e trajtimeve mjekësore si për kafshët, ashtu edhe për njerëzit. Pikërisht për këtë arsye, Resuli thekson se kontrolli i barnave veterinare duhet të shihet si pjesë e një sistemi më të gjerë të mbrojtjes së shëndetit publik.
“Përdorimi i përgjegjshëm i antimikrobikëve, gjurmueshmëria e produkteve mjekësore veterinare në të gjithë zinxhirin e furnizimit, respektimi i kohëve të pritjes për mbrojtjen e konsumatorit, lufta kundër rezistencës antimikrobike dhe garantimi i sigurisë ushqimore nuk janë vetëm detyrime në kuadër të integrimit evropian. Ato janë kërkesa themelore për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, shëndetit publik dhe interesit të qytetarëve shqiptarë”, thekson presidenti i Urdhrit të Mjekut Veteriner.
Nga kontrolli i barnave tek mbrojtja e konsumatorit
Një ndër risitë kryesore të projektligjit është trajtimi për herë të parë i produkteve mjekësore veterinare në një ligj të veçantë, jashtë kuadrit të përgjithshëm të shërbimit veterinar.
Sipas Resulit, kjo qasje reflekton rëndësinë që ka administrimi i barnave veterinare në garantimin e sigurisë ushqimore dhe në zbatimin e konceptit “One Health”, ku shëndeti i kafshëve dhe ai i njerëzve konsiderohen të ndërlidhur.
“Për herë të parë, produktet mjekësore veterinare trajtohen në një ligj të posaçëm, të ndarë nga ligji për shërbimin veterinar. Kjo pasqyron rëndësinë që ka administrimi i barnave veterinare në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, sigurisë ushqimore, shëndetit publik dhe luftës kundër rezistencës ndaj antimikrobikëve”, shprehet ai.
Sipas tij, forcimi i sistemit të gjurmueshmërisë do të jetë një nga elementët më të rëndësishëm të zbatimit të ligjit, pasi do të mundësojë kontroll më të mirë nga importi dhe shpërndarja deri te përdorimi final.
Mbështetje në parim, por sfida mbetet zbatimi
Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar të Shqipërisë e mbështet projektligjin në parim dhe e konsideron atë një hap të rëndësishëm për modernizimin e legjislacionit veterinar.
Megjithatë, zbatimi i tij do të kërkojë forcim të kapaciteteve institucionale, kontrolle më efektive dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve shtetërore, veterinerëve, fermerëve dhe operatorëve ekonomikë.
Për Shqipërinë, miratimi i këtij ligji do të shënonte kalimin drejt një modeli më të afërt me atë evropian, ku produktet mjekësore veterinare nuk trajtohen vetëm si barna për kafshët, por si një hallkë e rëndësishme e sigurisë ushqimore dhe e mbrojtjes së shëndetit publik. /ekofin.al
