Gratë përbëjnë vetëm 27% të të punësuarve në sektorin e furnizimit me energji elektrike dhe gaz në Shqipëri, ndonëse në institucionet publike që drejtojnë dhe rregullojnë sektorin raporti gjinor përmbyset: ato janë 63% e punonjësve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 68% e stafit të Entit Rregullator të Energjisë. Kontrasti, i evidentuar në analizën për tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, tregon se hendeku nuk lidhet vetëm me numrin e grave të punësuara, por edhe me llojin e pozicioneve që ato zënë.
Sektori i energjisë në Shqipëri punëson rreth 10 mijë persona, sipas të dhënave që përdor raporti. Në vitin 2020, 73% e punonjësve në furnizimin me energji elektrike dhe gaz ishin burra dhe 27% gra. Megjithatë, pjesëmarrja e grave kishte shënuar përmirësim krahasuar me vitin 2018, kur ato përbënin vetëm 21% të fuqisë punëtore. Kjo do të thotë një rritje prej 6 pikësh përqindjeje në dy vjet.
Situata ndryshon ndjeshëm në administratën publike të sektorit. Gratë përbëjnë 63% të punonjësve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe 74% të punonjësve të përkohshëm të saj. Në Entin Rregullator të Energjisë, pjesa e grave arrin në 68%. Megjithatë, sipas RCC-së, përfaqësimi numerik nuk përkthehet automatikisht në prani të barabartë në pozicionet teknike dhe nivelet e larta të drejtimit.
Raporti, duke iu referuar një studimi të Expertise France për gjininë në sektorin energjetik shqiptar, evidenton si pengesa normat kulturore dhe shoqërore që ndikojnë si te rekrutimi, ashtu edhe te zgjedhjet profesionale të grave. Pasi hyjnë në sektor, sipas dokumentit, gratë përballen edhe me atë që përshkruhet si “tavan qelqi”, ndërsa balancimi i punës me përgjegjësitë familjare kufizon më tej mundësitë e avancimit në karrierë.
Kjo çështje merr rëndësi të shtuar me zgjerimin e energjisë së rinovueshme. Tranzicioni drejt diellit, erës, eficiencës energjetike dhe teknologjive të reja po krijon profile të reja pune, ndaj rreziku është që një sektor që aktualisht dominohet nga burrat të riprodhojë të njëjtin hendek edhe në vendet e reja të punës së ekonomisë së gjelbër.
Këshilli rekomandon për këtë arsye programe të posaçme STEM për gratë, trajnime për role teknike dhe drejtuese, përmirësim të arsimit profesional, bursa dhe mentorim, si dhe mbledhje sistematike të të dhënave sipas gjinisë. Raporti kërkon gjithashtu plane veprimi që të lidhin tranzicionin energjetik me rritjen e përfaqësimit të grave në pozicionet teknike dhe vendimmarrëse.
Në këtë mënyrë, sfida për Shqipërinë nuk është vetëm rritja e numrit të grave në sektor. Shifrat e institucioneve tregojnë se gratë tashmë mund të jenë edhe shumicë e stafit; hendeku mbetet te ndarja e profesioneve, pozicionet teknike dhe rruga drejt niveleve të larta të vendimmarrjes./ekofin.al

