Ministri i Financave ka përmbyllur procedurën për emërimin e anëtarëve të rinj të Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP), në zbatim të ligjit nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar, si dhe të vendimit nr. 786, datë 9.11.2016, të Këshillit të Ministrave, i ndryshuar, që përcakton procedurat e përzgjedhjes, rastet e shkarkimit dhe rregullat e organizimit e funksionimit të këtij institucioni.
Me mandat 4-vjeçar, përbërja e re e Bordit është si vijon: Znj. Elira Hoxha është zgjedhur Kryetare. Ajo vjen në këtë rol pas eksperiencës si Drejtore Ekzekutive e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit. Në postin e anëtarëve janë zgjedhur, Dorida Marku, Sanije Tafa, ish-deputetja Enslemvera Zake dhe Lirim Sulaj, ky i fundit si propozim i Kuvendit.
Emërimi i anëtarëve të rinj shënon një fazë të rëndësishme për funksionimin e mekanizmit të mbikëqyrjes publike të profesionit të auditimit ligjor në Shqipëri, një hallkë kyçe për integritetin e raportimit financiar dhe besimin në tregjet financiare.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar, duke garantuar që ushtrimi i këtij profesioni të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit, kërkesat ligjore në fuqi dhe parimet e pavarësisë profesionale. Roli i tij është thelbësor në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, sidomos në një ekonomi ku raportimi financiar i saktë është bazë për stabilitetin e sistemit bankar, tregut të kapitaleve dhe investimeve.
Ndër funksionet kryesore të Bordit përfshihen miratimi dhe mbikëqyrja e sistemeve të kontrollit të cilësisë për audituesit ligjorë, inspektimi i subjekteve që kryejnë auditime të njësive me interes publik, si dhe marrja e masave disiplinore në rast të shkeljeve. Po ashtu, Bordi kontribuon në përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis communautaire në fushën e auditimit dhe raportimit financiar, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Rëndësia e Bordit rritet veçanërisht në një klimë ku kërkesa për standarde të larta transparence është në fokus, si nga investitorët vendas e të huaj, ashtu edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Një mbikëqyrje e fortë dhe e pavarur e profesionit të auditimit përbën një element kyç për besueshmërinë e pasqyrave financiare të kompanive dhe për funksionimin e drejtë të tregut. /ekofin.al
