INSTAT ka publikuar të dhëna të plota mbi tregtinë e jashtme gjatë vitit të kaluar, që konfirmojnë edhe njëherë dramën e eksporteve shqiptare. Kështu eksportet shqiptare përllogariten në 373 miliard lekë, ose 15,4% më pak sesa në vitin 2023. Në anën tjetër importet u rritën më tej, me 2,5%, duke arritur në 894 miliard lekë, për të thelluar deficitin tregtar.
Në vitin 2024 pesha e eksporteve në vendet e BE është 72 % të eksporteve të mallrave, duke arritur vlerën 267 miliard lekë. Eksportet në vendet e BE u ulën me 15,5 %, krahasuar me vitin 2023. Ndërsa pesha e importeve nga vendet e BE është 52 % të importeve të mallrave, duke arritur vlerën 460 miliard lekë. Importet nga këto vende u rritënme 3,6 %, krahasuar me vitin 2023.
Gjatë periudhës 2020-2024, vendet partnere në shkëmbimet tregtare mbeten: Italia, Kosova, Greqia, Gjermania, Kina, Turqia, SHBA, etj. Në vitin 2024 partneri ynë kryesor për eksportet dhe importet vazhdon të jetë Italia. Vlera e eksporteve drejt Italisë është 163 miliard lekë, duke u ulur 13,9 %, krahasuar me vitin 2023. Ndërsa vlera e importeve nga Italia është189 miliard lekë, duke u ulur 2,3 %, krahasuar me vitin 2023.
Për vitin 2024, më shumë se gjysmën e eksporteve e kryejnë 50 ndërmarrjet më të mëdha (55 %), ndërsa më shumë se gjysmën e importeve e kryejnë 100 ndërmarrjet më të mëdha (53 %).
Në vitin 2024, dominojnë ndërmarrjet që eksportojnë drejt 1 vendi partner. Ato kryejnë 29 %, të vlerës së eksporteve, ndjekur nga ndërmarrjet që eksportojnë drejt 3-5 vende partnere (25 %).
Në vitin 2024, dominojnë ndërmarrjet që importojnë nga 10 ose më shumë vende partnere. Këto ndërmarrje kryejnë 58 % vlerës së importeve, ndjekur nga ndërmarrjet që importojnë nga 3-5 vende partnere (14 %).
Numri i ndërmarrjeve eksportuese, në vitin 2024, është 3.784, duke u ulur me 0,2 %, krahasuar me vitin 2023, ndërsa i atyre importuese është 14.734 ndërmarrje, duke u rritur me 7,9 %, krahasuar me vitin 2023.
Në vitin 2024, ndërmarrjet që operojnë në industri dominojnë ndërmarrjet eksportuese. Këto ndërmarrje kryejnë 77 % të vlerës së eksporteve, duke u ulur me 19,3 %, krahasuar me vitin 2023. Ndërmarrjet që operojnë në tregti dominojnë ndërmarrjet importuese në vitin 2024. Këto ndërmarrje kryejnë 62 % të vlerë së importeve, duke u rritur me 6,6 %, krahasuar me 2023.



