Pas pezullimit të fondeve nga Shtetet e Bashkuara, ekofin.al mëson ekskluzivisht se edhe Zvicra ka vendosur të shkurtojë fondet dhe të reduktojë disa programe për ndihmën e huaj për disa shtete, ku përfshihet edhe Shqipëria. Ky vendim vjen pasi Parlamenti i Zvicrës ndau më pak fonde për ndihmën e huaj në dhjetor me miratimin e buxhetit, nga sa kishte kërkuar qeveria.
Parlamenti ka shkurtuar 110 milionë franga zvicerane (121 milionë dollarë) nga buxheti i bashkëpunimit ndërkombëtar për vitin 2025 dhe 321 milionë franga nga plani financiar për 2026 deri në 2028. Kjo lëvizje ndikon në bashkëpunimin dypalësh, ekonomik dhe tematik, si dhe në organizatat shumëpalëshe, sipas një deklarate të publikuar nga autoritetet.
Këshilli Federal, organi ekzekutiv i Zvicrës, u njoftua për shkurtimet e bashkëpunimit ndërkombëtar të mërkurën. Si rezultat, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) do të përfundojë programet e saj dypalëshe të zhvillimit me Shqipërinë, por edhe Bangladeshin dhe Zambian deri në fund të vitit 2028.
Nga viti 2025 deri në vitin 2028 do të ketë gjithashtu shkurtime të gjera për programet dhe organizatat vendore dhe tematike.
Lajmi për shkurtimin e fondeve për Shqipërinë, është konfirmuar për ekofin.al nga burime zyrtare të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, por ende nuk ka një specifikim se cilët programe financimi do të preken dhe deri në cilën masë.
Zvicra rezulton në fakt një nga donatorët, financuesit dhe mbështetësit kryesorë të Shqipërisë në rrugën e saj të reformave. Bashkëpunimi midis dy vendeve ka nisur që në fillim të viteve ’90. Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO) kanë akorduar 130 milionë franga zvicerane dhe shpërndarja e fondeve midis dy departamenteve ka qenë pothuajse e barabartë. Fushat prioritare kanë qenë mirëqeverisja, punësimi dhe stimulimi i të ardhurave; progresi në drejtësinë sociale, si dhe zhvillimi i ekonomisë së tregut.
SECO gjithashtu ka pasur në fokus përmirësimin e mjedisit për investime private dhe krijimin e kapaciteteve për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME) në fushat e përzgjedhura në sektorët kyç.
SECO vazhdon gjithashtu të mbështesë zhvillimin e institucioneve private lokale financiare dhe të instrumenteve që ofrojnë mundësi financimi, të cilat plotësojnë më mirë nevojat për SME-të dhe që kontribuojnë në mobilizimin e burimeve në sektorin privat.
Një nga programet e fundit të Qeverisë së Zvicrës me afat deri në 2030 është ai për shërbimet klimatike në Shqipëri. Ndërsa në shtator 2024 Zvicra dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi për financat vendore. /ekofin.al